Tetori njihet si muaji i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit dhe kryhen një sërë aktivitetesh për të rritur ndërgjegjësimin e grave për të kryer kontrolle. Mjekja radiologe në Spitalin Amerikan 1, Albana Shahini apeloi gratë dhe vajzat t’ju nënshtrohen kontrolleve periodike si e vetmja mënyrë për të parandaluar kancerin e gjirit.
E ftuar këtë të premte në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, Dr. Albana tha se vitet e fundit janë shtuar rastet e kancerit tek vajzat e reja, prandaj rekomandoi kryerjen e kontrolleve që në moshën 20 vjeçare të paktën një herë në vit.
Si ta kontrolloni vetë gjirin për të kuptuar nëse ka ndonjë masë shqetësuese?
“Mbi 95 përqind te rasteve kanceri nuk jep dhimbje, një nga shenjat e para është prekja e një kokrre në gji, një zone jo normale. Duke e prekur në mënyrë të vazhdueshme do të mësojnë strukturën standarte të gjirit dhe e kanë shumë të lehtë shfaqjen e një formacioni të ri në gji. Nëse e bën gjithmonë kontrollin para dhe pas ciklit menstrual arrin të dedektojnë një formacion.
Nëse kemi një tumor që është në sipërfaqe mund të krijojë ndonjë prishje të konturit të gjirit, tumori e tërheq lëkurën, është i çrregullt dhe infiltron dhe lëkurën duke bërë që në pjesën e jashtme mund të ketë ndonjë gropë e thelluar. Duart tërhiqen pas dhe shikohet nëse ka një asimetri në pjesën e gjinjve, mund të kemi futjen e kokës së gjirit brenda. Kjo duhet të kontrollohet dhe të thotë mjeku nëse ka ardhur për arsye inflamatore apo është tumor.
Mund të kemi rrjedhje me ngjyrë të kuqe nga gjiri, duhet të ekzaminohet sepse në 40-50 përqind te rasteve mund të jetë shenja e parë e kancerit të gjirit. Nëse gjiri bëhet si lëkura e portokallit, kjo tregon se brenda është një formë e veçantë e kancerit të gjirit. Nëse ka një skuqje masive të gjirit duhet kontrolluar nga mjeku dhe duhet vlerësuar sepse shfaqet njësoj si mastit por është një ndër kancerit më agresiv.“, tha Shahini.
Më tej, ajo u ndal tek Qendra e Gjirit në Spitalin Amerikan, e cila ofron të gjitha ekzaminimet me teknologjinë bashkëkohore për diagnostikimin e kancerit të gjirit. “Për të gjitha stadet e kancerit ka protokolle për trajtimin specifik. Në Spitalin Amerikan kemi qendrën e gjirit që konsiston që nga diagnostikimi si mamografia, rezonanca apo total body dhe pastaj kryejmë ekzaminimet invazive si biopsia dhe imunohistokimia që kryhet vetëm në spitalin tonë.
Kjo është një procedurë që tregon se çfarë receptorësh ka në qelizën tumorale, në mënyrë që terapia të jetë e dedikuar për çdo pacient. Kryhet kirurgjia radikale me heqjen e gjirit dhe ajo konservative me heqjen e ¼ e gjirit, rindërtimin e gjirit. “, tha Dr. Albana. /abcnews.al