Prishtina refuzoi ofertën e fundit të Brukselit sa i përket heqjes së taksës 100% të vendosur ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjes. Zyrtarë të lartë të BE-së ofruan zëvendësimin e emërtimit në marrëveshjen CEFTA nga UNMIK në Kosova.
Taksa kundër mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk do të hiqet. Kjo ishte përgjigja e prerë e dalë nga zyra e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për një letër-ofertë që i erdhi nga Bashkimi Europian. Lajmi raportohet nga mediat kosovare që citojnë shefin e stafit të kryetarit të qeverisë, Avni Arifin.
Në ofertën e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, Komisioneres për tregti Cecilia Malmstrom dhe Komisionerit Johannes Hahn për zgjidhjen e problemit të tarifave ndaj Serbisë shkruhet: “Ofrojnë mes tjerash që emërtimi “UNMIK” në CEFTA të zëvendësohet me “Kosova”. Por kërkojnë që, si shenjë e vullnetit të mirë, para të hënës 17 Dhjetor, kur në Bruksel zhvillohet takimi i Këshillit të MSA-së, Kosova përkohësisht të pezullojë zbatimin e vendimit për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”.
Zyrtarët europianë pranojnë shqetësimet e Kosovës se praktikat e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës pengojnë zbatimin korrekt të marrëveshjes së tregtisë së lirë CEFTA. Ndër të tjera përsëritet edhe njëherë se masa e vendosur nga Prishtina është e gabuar pasi dëmton aftësitë e vendit për tërheqjen e investimeve por edhe qytetarët kosovarë. Ndërkohë të hënën, Haradinaj do të dërgojë në Bruksel letrën me përgjigjen e tij më të zgjeruar sa i përket ofertës së zyrtarëve të BE-së./abcnews.al