Presidenti Ilir Meta i ka akorduar ditën e sotme Dëshmorit të Atdheut Saimir Hoxhës “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, një ditë pasi ai u vra nga 21-vjeçari Aldi Rama, teksa ndodhej në krye të detyrës.
“Për kontributin e dhënë në shërbim të Policisë së Shtetit, si dhe në vlerësim të trimërisë së treguar gjatë kryerjes së detyrës, duke mos kursyer as jetën e tij në luftën kundër krimit të organizuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në dekretin e presidentit Meta.
Kreu i shtetit ka marrë pjesë gjithashtu në homazhet për të nderuar oficerin e rënë në krye të detyrës. Para mediave, Meta tha se kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë edhe si moment reflektimi.
“Oficer hero i policisë së shtetit, por edhe një prind i shkëlqyer. Nuk e meritonte të ndahej nga jeta. Është një moment reflektimi për një luftë frontale kundër krimit të organizuar, por edhe për dekurajimin e krimit ordiner, ashtu sikundër është prioritet lufta kundër trafikut të drogës. Kjo është një luftë që duhet bërë çdo sekond dhe nuk duhet të kujtohemi vetëm në momente të tilla tragjike. Është momenti edhe për të mbështetur Policinë e Shtetit,” u shpreh Meta.
Në pallatin e Kongreseve pak pas orës 12:00 të mesditës së sotme kanë nisur homazhet në nder të nënkomisarit.
Në ceremoni ka marrë jetë edhe babai i tij 85-vjeçar i cili i prekur ka deklaruar: “Nuk kam më motiv për të jetuar, s’ka më fjalë të më ngushëllojë”. /abcnews.al