Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas djegies së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok. Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Kurti shprehet se djegia e këtij objekti ishte e qëllimshme dhe se qartazi sulmet po nxiten dhe mbështeten nga Serbia.
ALBIN KURTI NË FACEBOOK
“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.
Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.”
Sipas kreut të qeverisë në Kosovë, e Serbia po përdor qytetarë të Kosovës për të provokuar një konflikt serioz ndërkombëtar ndërsa shton se sulme të tilla nuk do të tolerohen. /abcnews.al/