Në “ABC Live” me Juli Xhokaxhi është diskutuar pasditen e së enjtes për situatën e krijuar në veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit për targat. Të ftuar në studio ishin Linda Karadaku, gazetare e ABC dhe Arben Cejku, ish-ambasador, ndërsa në lidhje direkte ishte Fatmire Kollçaku deputetë dhe nënkryetare e LVV.
Ndër të tjera zonja Kollçaku u shpreh se me qëndrimin që po mban, Serbia thjesht “po demaskon mungesën e vullnetit nga ana e saj” për të biseduar dhe për të dialoguar realisht. E pyetur nga të pranishmit në studio nëse vendimi i qeverisë Kurti është marrë duke mbajtur parasysh afrimin e datës së zgjedhjeve lokale, deputetja e LVV tha se ishte thjesht rastësi.
“Jo. Ka qenë data që ka skaduar afati dhe duhej marrë një vendim. Pala serbe nuk ka argument kundërshtues real.”
Ndërsa e vënë përpara faktit se partia në të cilën ajo bën pjesë historikisht i ka kundërshtuar marrëveshjet e arritura me Serbinë, Fatmire Kollçaku u shpreh se LVV nuk ka thënë asnjëherë që marrëveshjet kanë qenë të mira, por qëllimi i tyre është që ato të rishikohen.
“Ne ishim në opozitë, tani po e shohim që pala serbe nuk ka respektuar pjesën më të madhe të pikave të marrëveshjes.”
Por çfarë do të ndodhë nëse për shkak të situatës së tensionuar në veri, qeveria kosovare detyrohet të bëjë një hap pas? Nënkryetarja e LVV tha se qëllimi i qeverisë nuk është të tregojë forcë por thjesht që të ketë reciprocitet për sa i përket përdorimit të targave.
“Forcat tona në kufi kanë treguar maturi. Qëllimi absolut nuk është të krijojmë turbulenca, sidomos me qytetarët serbë.”
E pyetur nëse kryeministri Kurti u konsultua me partnerët ndërkombëtarë para se të merrte vendimin, Kollçaku tha se ata u vunë në dijeni pas vendimit.
“Pasi u mor vendimi, u fol me partnerët. Jemi një shtet sovran, është e drejta e tij që të marrë vendime sovrane.” /abcnews.al/