Thomas Muller mori karton të kuq pas një ndërhyrjeje të rëndë ndaj një lojtari të Ajaksit në Champions. Futbollisti gjerman kërkoi fjalje, ndërsa historia e futbollit njeh shumë goditje të tilla.
Kur u nis bashkë me skuadrën për në Amsterdam, as që e kishte menduar. Thomas Muller nuk njihet aspak si lojtar i dhunshëm, por futbolli është lojë e paparashikueshme, dhe atij i ndodhi diçka që nuk do t’ia kishte uruar vetes kurrë. Në minutën e 75-të, të ndeshjes së Championsit, u përjashtua me të kuq, pas një ndërhyrjeje tepër të rrezikshme, potencialisht edhe vdekjeprurëse ndaj mbrojtësit të Ajaksit, Nikola Taliafiko.
Goditja ishte pas koke, dhe lojtari argjentinas u shtri përtokë thuajse pa ndjenja, ndërsa gjyqtari nuk ngurroi për të dhënë dënimin maksimal. Për fat, Taliafiko nuk pësoi ndonjë dëm të madh, madje ishte në gjendje të vazhdonte lojën. Jo vetëm kaq, por ai shënoi golin e tretë të Ajaksit që thuajse i dha fitoren.
Një ditë më pas, Tomas Muller i kërkoi falje publikisht argjentinasit, duke shkruar në Twitter, e duke i thënë se gjithçka kishte qenë e paqëllimshme. E menjëhershme përgjigja e Taliafikos, që u shpreh me mirëkuptim dhe i uroi Mullerit sukses. Historia e futbollit njeh mjaft ndërhyrje si kjo e gjermanit.
E famshme ajo e finales së Kupës së Botës në 2010, kur De Jong i Holandës goditi në gjoks Xabi Alonson e Spanjës, por për çudi nuk mori as të verdhë. Po aq e famshme, edhe ndërhyrja brutale e portierit të Gjermanisë Perëndimore, Harald “Toni” Shumaher, ndaj mbrojtësit të Francës, Batiston, në gjysmëfinalen e Botërorit 1982. As Shumaheri nuk mori ndonjë qortim për atë që bëri.
Nuk mund të mos përmendet goditja nga prapa e Andoni Goikoeçeas ndaj Diego Armando Maradonës, në ndeshjen Barcelona-Atletik Bilbao, kur argjentinasi theu këmbën. Ai u kthye pas 3 muajsh për të vazhduar me mrekullitë e tij në Spanjë, Itali dhe me kombëtaren e Argjentinës./abcnews.al