Apeli i qeverisë franceze nuk është pranuar nga “Jelekët e Verdhë”, të cilët konfirmuan zhvillimin e protestës të së shtunës. Madje edhe gjatë së enjtes pati manifestime.
Të shtunën e 15 dhjetorit “Jelekët e Verdhë” do të protestojnë për herë të pestë në Francë. Lajmi është konfirmuar në një konferencë për shtyp nga ekipi përfaqësues i tyre. Ata vazhdojnë të kërkojnë më pak taksa dhe jo më privilegje. Është refuzuar në këtë mënyrë apeli i qeverisë për të hequr dorë nga protestat, duke pasur parasysh propozimet e bëra nga presidenti Emanuel Makron. Nuk është marrë gjithashtu parasysh as situata e alarmit në vend si pasojë e sulmit të ndodhur në Strasburg ku mbetën të vrarë 3 persona.
Ndërkohë, thirrja për të mos protestuar dhe për të mbajtur një profil të ulët pas atentatit të së martës mbrëma nuk është dëgjuar në Strazburg. Studentët e disa liceve dolën të enjten në rrugë për të protestuar. Për shkak të manifestimit, të paktën një linjë e tramvajit të qytetit mbeti përkohësisht e bllokuar, ndërkohë që të rinjtë i vunë flakën edhe një konteineri mbeturinash, duke bërë që një re tymi i zi të ngrihej në zonën pranë Parlamentit Europian.
Të martën, pak përpara atentatit, studentët i vunë zjarrin disa automjeteve dhe 27 persona u ndaluan nga policia. Të mërkurën mbrëma, një aktivist i tyre, 23 vjeç, mbeti i vrarë pasi u shtyp nga një kamion në Avinjon, në jug-lindje të Francës./abcnews.al

