Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë pritur ambasadorët e QUINT-it një ditë pas vendimit për reciprocitetin ndaj targave të Serbisë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë: të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Nicholas Giacobbe, ambasadorin e Gjermanisë, z. Joern Rohde, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Abbott, ambasadoren e Francës, znj. Marie-Christine Butel, zëvendës-shefin e Misionit të Italisë në Kosovë, z. Ugo Ferrero, dhe Përfaqësuesin e Posaçëm e Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomas Szunyog”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Në njoftim thuhet se në takim është diskutuar rreth vendimit të djeshëm të qeverisë së Kosovës, derisa bëhet e ditur se Kurti i ka njoftuar ambasadorët se nuk ka pasur incidente në asnjë vendkalim kufitar.
“Në këtë takim, u diskutua mbi vendimin e djeshëm rreth pajisjes me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti i informoi ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar dje dhe sot nuk ka pasur incidente. Ai tha se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.”
“Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar, tha kryeministri, duke theksuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare. Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpiejnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet”, bën të ditur njoftimi.
Tutje thuhet se Kurti ka deklaruar se te çështja e reciprocitetit ose kanë të drejtë të dyja shtetet, ose e kanë gabim të dyja.
“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia, theksoi kryeministri Kurti. Ai i njoftoi ambasadorët edhe për bisedën telefonike që ka pasur mbrëmë me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrell”, thuhet në njoftim, raporton Gazeta Express.
Po ashtu bëhet e ditur se ministri Sveçla i ka njoftuar ambasadorët se Policia e Kosovës është në krye të detyrës dhe se po kontribuon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
“Ministri Sveçla tha se policët tanë janë në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Qytetarët serbë nuk kanë pse të ndjehen të frikësuar, potencoi ai. Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim, tha ministri.”
Po ashtu, bëhet e ditur se në takim është folur edhe për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë”, thekson njoftimi. /abcnews.al/