Zyrtare: Prokuroria nis hetimet për ndotjen në Elbasan pas denoncimeve të “ABC”

schedule14:16 - 21 Shtator, 2021

schedule 14:16 - 21 Shtator, 2021

Një muaj pas denoncimit të gjendjes nga “ABC” (lexo këtu), prokuroria e Elbasanit ka nisur zyrtarisht hetimet për ndotjen e qytetit. Gazetari i “ABC”, Aldo Kozarja konfirmon lajmin nga burime pranë prokurorisë së Elbasanit.

Nën hetim janë 15 zyrtarë që kanë për detyrë të monitorojnë nivelin e ndotjes në qytetin e Elbasanit. Mes zyrtarëve janë punonjës të njësisë Bradashesh, të zyrës së mjedisit Elbasan dhe zyrtarë të tjerë që sipas burimeve të “ABC” kanë për detyrë të vëzhgojnë shkeljen e rregullave nga kompanitë.

Në hetim janë edhe zyrtarë të transportit publik që lejojnë futjen e mjeteve të tonazhit të rëndë në qytet, pasi ja shtojnë edhe më shumë dozën nivelit të ndotjes, që në Elbasan është 50 herë mbi normat e lejuara.

Zyrtarë dhe ish-zyrtarë të disa institucioneve janë pjesë e stafit të punës së këtyre kompanive, i paguajnë nën dorë dhe jo përmes sistemit që ka Shqipëria, pra jo të deklaruar. Kam prova, që ish-zyrtarët që duhet të çonin para organeve këto kompani, nuk e bënin detyrën, por bëheshin palë duke marrë pagë” tha Aldo Kozarja.

Hetimet kanë nisur pas dy vëzhgimeve që “ABC” kreu në zonën industriale në Elbasan, ku ushtrojnë aktivitet 70 kompani të industrisë së rëndë.

Këto kompani nuk kanë qenë asnjëherë subjekt i kontrolleve. Të gjitha këto kompani nuk kanë statistika për nivelin e ndotjes, ndërsa sa herë kanë nisur hetime nga institucionet ato kanë dështuar ose janë pushuar si pasojë e mungesës së provave.

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe deputetja e Partisë Demokratike në zonën e Elbasanit Zheni Gjergji. “Elbasani po mbytet!!!! Çfarë deklarove sot ti Aldi Hilmi Kozarja? Çfarë do të niste prokuroria Elbasanit? S’ka kohë për pushim për të ardhmen që ndërtojmë bashkë Më të mirën e kemi të gjithën përpara! Na ndihmo Zot! Na ruaj shëndetin e fëmijëve!”, shkruan ajo.

Gjatë javës në vijim me nismë e gazetarit Aldo Kozarja, një grup i shoqërisë civile pedagogë dhe deputetë pritet që në qendër të qytetit të hapin një tende për të mbledhur firma, për të drejtuar një peticion organeve ligjzbatuese të cilat kanë për të detyrë të monitorojnë situatën dhe të çojnë para drejtësisë ata që kanë krijuar këtë situatë alarmante. / Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!