E vërteta e sherrit në Vlorë, drejtori dha dorëheqjen, por u pendua, tenderat dhe dëshmitë

schedule18:15 - 20 Shtator, 2021

schedule 18:15 - 20 Shtator, 2021

Një debat mbi lirimin e zyrës çoi ditën e sotme në ambientet e policisë së Vlorës kryetarin e bashkisë së qytetit bregdetar Dritan Leli dhe drejtorin e Ujësjellësit, por nuk kanë bërë denoncim.

Gazetari i ABC në Vlorë, Elton Nikaj sqaron si nisi debati që përfundoi në polici.

Pikënisja është në 6 gusht, datë kur Shkëlqim Leskaj ka firmosur dorëheqjen nga detyra e drejtorit të Ujësjellësit të Vlorës.

Por disa ditë më pas, Leskaj është penduar duke kërkuar që ta kthejë mbrapsht, por kryetari i bashkisë së Vlorës nuk e ka pranuar, duke i qëndruar vendimit të parë të drejtorit të UKV-së.

Një burim i tha “ABC”-së se Leskaj, pavarësisht se dha dorëheqjen nuk mund të largohej në gusht pasi mori lejen vjetore dhe për këtë arsye është pritur data e rikthimit për t’i komunikuar procedurën.

Në datë 15 shtator, drejtorit iu kërkua që të lironte zyrën, por Leskaj e ka refuzuar kërkesën duke mos pranuar madje duke e kyçur derën.

Kjo ka bërë që konflikti mes palëve të përfundojë në drejtorinë e policisë së Vlorë, që ditën e sotme ka thirrur Lelin dhe Leskajn për t’u marrë dëshminë mbi ngjarjen. “ABC” ka siguruar pamjet e momentit kur Leskaj largohet nga ambientet e policisë së Vlorës pas dëshmisë.

Po i njëjti burim, i tha gazetarit të “ABC”-së Elton Nikaj se “drejtori brenda periudhës që dha dorëheqjen ka firmosur tre tendera pa garë, 400 mijë euro për sahatet, klorifikimi dhe uniformat”./ db/Abcnews.al