Llanaj: Vaksinimi duhet të shoqërohet me masa të tjera, kush duhet ta bëjë dozën e tretë

schedule08:49 - 17 Shtator, 2021

schedule 08:49 - 17 Shtator, 2021

Doktori i Shkencave, Erand Llanaj tha gjatë një interviste për emisionin “Abc-ja e mëngjesit” se vaksinimi është një ndër masat që duhen marrë për të përballuar pandeminë. Epidemiologu argumentoi se duke pasur parasysh dhe efektivitetin e vaksinës ndaj varianteve të reja, janë të nevojshme dhe masat e tjera.

“Kur vjen puna tek masat që duhen marrë, vaksina nuk është plumbi i artë por një ndër masat që duhet të marrim. Diçka që ka krijuar këtë entuziazëm që kjo do të përfundojë, përveç dëshirës sonë për të përfunduar është dhe fakti që është keqpërdorur ekstremisht nga profesionistë, koncepti i imunitetit të tufës, sesa infekton një variant i caktuar.

Në fillim duke qenë se ishte 2-3 raste, në bazë të formulës del që minimumi duhet të vaksinohen 67 përqind e popullatës. Ndërkohë që me variantin Delta, duke qenë se ka një pritje për evazion të patrullës imunitare.  Pra i shmanget imunitetit të krijuar qoftë nga vaksina apo nga ata që e kanë kaluar infeksionin, ky numër rritet në 5-9.5. Domethënë që kjo e shtyn imunitetin e tufës në mbi të paktën 80 përqind dhe 90 përqind është optimalja.

Kur shifra e imunizimit lëviz në këtë nivel një mbulesë vaksinore 60 përqind është e pamjaftueshme për të hequr të gjitha masat dhe një mbulesë vaksinore për të paktën 80 përqind është e mjaftueshme për një shoqëri me sa më pak kufizime.“, tha ai.

Për sa i përket dozës së tretë të vaksinës, ai tha se duhet të bëhet për kategoritë e rrezikuara. “Në parim jam për dozat e treta për disa kategori specifike, mbi 65 vjeç me imunitet të kompromentuar, ata me sëmundje të rënda si kanceri, sëmundje kronike të veshkave, por për grupmoshat e tjera, nuk jam pro. Është dhe një argument etik ku shumica e vendeve të botës, i bie që një pjesë e tyre konsiderohen me të ardhura të mesme dhe të larta kanë marrë nga dy “gota” ndërkohë që shumë vende të tjera asnjë gllënjkë.“, tha ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!