Pse Vladimir Putin është kaq shumë i frikësuar nga “agjentët e të huajve”?

schedule09:42 - 16 Shtator, 2021

schedule 09:42 - 16 Shtator, 2021

Nga Natia Seskuria, Foreign Policy

Përpara zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen në Rusi këtë javë, presidenti Vladimir Putin ka arsye për t’u shqetësuar. Popullariteti i partisë së tij, Rusia e Bashkuar, ka pësuar një rënie të madhe vitet e fundit, dhe super-maxhoranca e partisë së tij prej 2/3 vendeve në dhomën e ulët të parlamentit, është çuditërisht shumë e brishtë.

Përgjigja e Putin ndaj këtij problemi është më pak befasuese:Ai i quan “agjentë të të huajve” armiqtë dhe kritikët e tij politikë më me ndikim. Putin e ka përdorur ligjin rus mbi “agjentët e të huaj” për gati 1 dekadë, por tani ai e ka përforcuar atë.

Një seri ndryshimesh, të miratuara më 30 dhjetor të vitit të kaluar, i japin mundësi regjimit të godasë çdo lloj organizatë që merr fonde të huaja, apo çdo individ që shpreh kritika ndaj Putinit, madje edhe në mediat sociale.

Tashmë, ky ligji është përdorur për të ushtruar presion dhe frikësuar aktivistët anti-Kremlin dhe pro-demokracisë, duke detyruar shumicën e tyre që të heshtin apo të largohen nga vendi. Atyre që nuk janë në gjendje ta shmangin etiketimin“agjent i të huajve”, u kërkohet të raportojnë çdo 6 muaj aktivitetet e tyre në Ministrinë e Drejtësisë, në të kundërt do të përballen me ndëshkime deri në5 vjet burg.

Kjo goditje është vetëm e fundit në radhë, në një seri të gjatë masash antidemokratike që ka përdorur Putini për të mbrojtur regjimin e tij. Në fillim të viteve 2000, kur u zgjodh për herë të parë president, ai nisi të ndërmarrë sulme sistematike ndaj mediave të kontrolluara nga oligarkët.

Në fillim ajo qasje e ashpër çoi tek autocensura dhe në fund në kontrollin e plotë të atyre mediave nga qeveria ruse. Manjati rus i mediave, Vladimir Gusinsky, u detyrua të largohej nga vendi dhe t’ia shiste aksionet e tij Media Most, përfshirë ato në kanalin televiziv kombëtar shumë të ndjekur NTV, pjesë e Gazprom-Media.

Vendosja e këtyre mediave në duart e Gazprom-Media, një media në pronësi të gjigantit shtetëror të gazit Gazprom, ishte mënyra më e lehtë për t’i mbyllur gojën stacionin televiziv të pavarur dhe kritik. Boris Berezovsky, një oligark që zotëronte rrjetin më të madh televiziv kombëtar të Rusisë, pati një fat të ngjashëm.

Në atë kohë, shumë pak njerëz e kuptuan se goditja ishte vetëm një prelud i mënyrës sesi Putin synonte të konsolidonte dhe mbante pushtetin e tij. Kremlini shqetësohej ende pak mbi reputacionin ndërkombëtar të Rusisë. Moska e cilësonte sistemin e vet politik si një “demokraci të menaxhuar”, dhe u përpoq disi që ta ruante atë fasadë.

Por pas 21 vitesh Putinizëm, me premtimet e pafundme se Rusia do të rivendoste dominimin e saj në skenën botërore, lodhja në mesin e rusëve po rritet ndjeshëm. Menaxhimi i dobët i krizës së koronavirusit, që solli një shkallë të lartë vdekjesh, por edhe vështirësitë ekonomike dhe reformat jopopullore, po e minojnë akoma më tej popullaritetin e Putinit.

Sipas rezultateve të një sondazhi të publikuara në muajin mars, partia e Putin, Rusia e Bashkuar,gëzonte një mbështetje prej vetëm 27 për qind në shkallë vendi. Niveli më i ulët i8 viteve të fundit,dhe një mbështetje të vogël prej vetëm 15 për qind në Moskë.

Duke krijuar një regjim shumë të personalizuar, vetëm Putini mund të përcaktojë se deri ku është i gatshëm të shkojë për ta zgjeruar dhe mbrojtur atë. Ndryshimet e fundit kushtetuese, i japin atij mundësinë ta mbajë pushtetin deri në vitin 2036, gjë që sugjeron se ai nuk ka në plan që të dalë së shpejti në pension.

Megjithatë, sipas një sondazhi të kryer nga Qendra Levada, 57 për qind e rusëve të moshës 18-24 vjeç nuk duan që Putin të qëndrojë në pushtet pas përfundimit të mandatit të tij aktual në vitin 2024. Nuk ka asnjë iluzion se opozita e vërtetë e Putin – së cilësi mohohet mundësia për të marrë pjesë në zgjedhje – do të jetë në gjendje të ndryshojë regjimin në mënyrë demokratike.

Por për herë të parë në historinë e kohëve të fundit të Rusisë, vendi ka një figurë përbashkuese të opozitës me Alexei Navalny e burgosur, i cili në një farë mënyre ka arritur ta konsolidojë opozitën rreth udhëheqjes së tij, dhe t’i motivojë aktivistët e rinj të dalin të protestojnë në rrugë.

Putin mund t’i fitojë zgjedhjet e kësaj jave. Por në të njëjtën kohë, ai mund të humbasë legjitimitetin. Në përgjigje të mbështetjes në rritje ndaj Navalny, po rikthehet edhe frika e Kremlinit për një “revolucion të ri shumëngjyrësh”.

Revolucioni i Trëndafilave në Gjeorgji (në vitin 2003) dhe Revolucioni Portokalli në Ukrainë (në vitet 2004-2005), provokuan valëte hershme të shqetësimit për ndikimin e huaj. Në atë kohë, Kremlini nisi që t’i frikësonte organizatat joqeveritare ruse (OJQ) të financuara nga jashtë, nga frika se ato po synonin të minonin regjimin e Putinit.

Pastaj gjërat u përkeqësuan. Në fundin e vitit 2011, kur Putini u rikthye zyrtarisht në presidencë -në fakt ishte gjithnjë në pushtet, edhe kur Dmitry Medvedev shërbeu një mandat si president – shpërthyen protestat në sheshin Bolotnaya në Moskë.

Tubimet më të mëdha në historinë moderne ruse, u panë nga Kremlini si një përpjekje perëndimore për të ndërhyrë në punët e brendshme të Rusisë. Në më pak se tre muaj pas inaugurimit të tij në detyrë, Putin dekretoi një ligj të diskutueshëm,sipas të cilit OJQ-të që marrin fonde nga jashtë regjistrohen si “agjentë të të huajve”.

Gati një dekadë më vonë, strategjia e “votimit të zgjuar” e Navalny – që përfshin votimin për cilindo nga politikanët që ka më shumë gjasa t’i mposhtë kandidatët e Putinit të partisë Rusia e Bashkuar -e nxiti Kremlinin të përmirësojë ligjin mbi “agjentët e të huajve”.

Në qershor të këtij viti, qeveria i etiketoi si “ekstremist” Fondacionin Anti-Korrupsion të Navalny dhe rrjetet e tij rajonale, duke i mbyllur ato. Etiketimi“ekstremist” i pengon mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e Navalny që të konkurrojnë në këto zgjedhje.

Sipas grupit të pavarur të monitorimit “Golos”, që gjithashtu është etiketuar si një “agjent i të huajve”, të paktën 9 milionë rusëve u ndalohet ligjërisht e drejta për t’u zgjedhur. Një nga objektivat kryesore të Kremlinit është gazetaria investigative.

Ekipi i Navalny ka publikuar një numër videosh, që zbulojnë aferat korruptive të Putinit dhe rrethit të tij të ngushtë të bashkëpunëtorëve. Njëra nga videot që flet mbi një rezidencë luksoze buzë Detit të Zi, dhe që pretendohet të jetë një ryshfet prej 1.37 miliardë dollarë për Putinin, arriti të ketë 20 milionë shikime brenda një dite.

Gazeta investigative “Proekt”, u detyrua të pezullonte operacionet e saj, pasi qeveria e shpalli në korrik një organizatë “të padëshirueshme”. Në mënyrë të ngjashme, portalet e lajmeve “Open Media” dhe “MBKh” (të mbështetura nga oligarku rus në mërgim Mikhail Khodorkovsky), ndërprenë kohët e fundit punën për shkak të atyre që ata vlerësuan se ishin rreziqe të vazhdueshme për sigurinë e gazetarëve.

Të dyja mediat u bllokuan nga autoritete, dhe disa gazetarë të “Open Media” u klasifikuan si “agjentë të të huajve”.Lëvizjet e fundit të Putinit, hedhin jo pak dritë mbi dobësitë afatgjata të regjimit që ai drejton.

Duke shënjestruar si mediat më të vogla, ashtu edhe ato më të spikatura, Kremlini shpreson që të shmangë protestat masive si ato që nisën vitin e shkuar në Bjellorusi. Por edhe duke mbyllur një “valvul sigurie” të nevojshme – teksa forcohen presionet sociale, ekonomike dhe politike – strategjia e Putinit mund të dështojë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Natia Seskuria, bashkëpunëtore në Institutin e Shërbimeve në Mbretërinë e Bashkuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!