Presidenti francez Macron iu drejtua kombit duke njoftuar lëshime të mëdha dhe reforma rrënjësore për vitin 2019. Kreu i Shtetit i cilësoi të drejta protestat, por jo dhunën.
Emmanuel Macron, President i Francës: “Ky zemërim ndahet nga shumë francezë. I jemi përgjigjur rritjes së taksës mbi karburantin, por duhen masa të thella. Zemërimi është i drejtë në një farë mënyrë. Por dhuna është e papranueshme”.
Emmanuel Macron më në fund thyen heshtjen. Thuajse pas dy javësh, lideri francez doli dhe iu drejtua kombit për shqetësimet e ngritura sëfundi nga lëvizja e “Jelekëve të Verdhë”. Presidenti në adresimin e tij pranoi që vendi ka nevojë për reforma të thella, madje njoftoi disa ndryshime për vitin që vjen duke iu referuar si gjendje emergjence ekonomike dhe sociale.
Emmanuel Macron, President i Francës: “Paga minimale e një punëtori do të rritet me 100 euro në muaj në vitin 2019. Ne duam një Francë ku mund të jetojmë denjësisht me punën tonë. Për pensionistët që marrin më pak se 2,000 euro në muaj, ne do të anulojmë në 2019 rritjen e kontributit social të përgjithësuar”.
Më tej kreu i pallatit Elize u shpreh i bindur se mund të arrihet në një zgjidhje që do të kënaqë të gjitha palët. Macron, duke bërë thirrje për unitet dhe drejtësi sociale tha se vendi duhet të ecë përpara në një mënyrë ndryshe. “Gjendemi në një udhëkryq për vendin: duhet dialog dhe respekt. Ne do t’ia dalim”, përfundoi ai duke e mbyllur adresimin me fjalët: “Rroftë Franca”.
Ndërkaq, përpjekja e fundit e presidenti francez për kompromis, e bërë me 27 nëntor, ishte e kotë. Në atë rast qeveria e Macron bëri një lëshim të vogël lidhur me akcizën për karburantin. Por siç dihet nuk e ndaloi protestën massive. Dhe ashtu siç u pa në ditët në vijim, nuk mjaftoi as njoftimi i heqjes së akcizës për çmimin e energjisë dhe gazit. Mobilizimi është i vazhdueshëm, madje i shoqëruar me dhunë dhe vandalizëm të theksuar. Dhe duket se akoma nuk ka përfunduar: Jelekët e Verdhë flasin për një akt të pestë të parashikuar për të shtunën. /abcnews.al