Ende nuk dihet fati i punëtorit që është bllokuar brenda minierës në Bulqizë. Ngjarja e rëndë u shënua sot rreth orës 12:10. Policia bëri të ditur se masivi shkëmbor u shemb në një galeri në Zonën e Parë, duke zënë brenda një minator.
Sipas policisë minatori Muharrem Plaku ka qenë duke punuar në brendësi të galerisë, dhe nuk dihet nëse është bllokuar apo është zënë poshtë nga masivi i shembur.
Ngjarja ka ndodhur në një galeri të subjektit “KADURTEX”, në pronësi të vëllezërve Myfit dhe Kapllan Duriçi, ky i fundit ishte edhe administrator i kompanisë.
Grupi i Avari Shpëtimit dhe specialistë të Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave (RISHM) ndodhen në vendin e ngjarjes por sipas informacioneve sasia e materialit është shumë e madhe dhe është shumë e vështirë nxjerrja e minatorit Muharrem Plaku./ Abcnews.al