Italia e para në Europë për korrupsion

schedule15:06 - 10 Dhjetor, 2018

schedule 15:06 - 10 Dhjetor, 2018

Italia rezulton vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në Europë, që i kushton buxhetit të shtetit mbi 230 miliardë euro në vit e që është dyfishi i nivelit të korrupsionit në Gjermani dhe Francë.

Italia është vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në Europë dhe çdo vit humbet 236 miliardë euro pasuri, rreth 13 për qind të prodhimit të brendshëm, ose 3.900 euro për banor. Kuota e korrupsionit në vendin fqinj është dy herë më e lartë se ajo e Francës dhe Gjermanisë, ku kostoja e fenomenit është respektivisht 120 dhe 104 miliardë euro në vit, ose 6 dhe 4 për qind e GDP-së përkatëse.

Të dhënat janë pjesë e një studimi të publikuar nga grupi euro-parlamentar i të gjelbërve, i bazuar në analizat e kryera nga OJQ-ja amerikane RAND, për llogari të Parlamentit Europian. Në tërësi, BE humbet për shkak të korrupsionit 904 miliardë euro nëse në llogaritje përfshihen edhe efektet indirekte, si hyrjet fiksale dhe reduktimi i investimeve të huaja.

Jo pa ironi studimi nënvizon se për t’i dhënë fund varfërisë në botë duhen 229 miliardë, për të arsimuar fëmijët e 46 vendeve më të varfëra 22 miliardë, për të eliminuar malarien 4 miliardë dhe 129 miliardë të tjerë për t’u garantuar ujë të pastër dhe kanalizime të gjithë njerëzve të planetit. Sërish në tërësi, qytetarët në Europë nuk besojnë se përpjekjet e qeverive për të luftuar korrupsionin janë efikase dhe institucioni i vetëm ku ata kanë më shumë besim rezulton policia.

Konkretisht, besimi tek institucionet europiane është 4 për qind. Ndërkohë, brenda Bashkimit Europian vendi më i korruptuar rezulton Rumania, me 15.6 për qind të GDP-së.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!