Vrasja e Sabina Bengajt, shoqëria civile në Elbasan kërkon ndryshimin e Kodit Penal

schedule19:22 - 13 Shtator, 2021

schedule 19:22 - 13 Shtator, 2021

Vrasja e 23-vjeçares Sabina Bengaj  nga Fieri pak ditë më parë nga bashkëshorti me të cilin ishte në proces divorci ka shkaktuar indinjatë në mbarë vendin.  Për t’i thënë “jo” vrasjes së grave dhe për të rritur ndëshkueshmërinë  e atyre që guxojnë të ngrenë dorë ndaj seksit të brishtë nisi nga Elbasani nënshkrimi i peticionit për ndryshimin e kodit penal.

Nga Elbasani peticioni do të udhëtojë në të gjitha qytetet për të përfunduar më pas në Parlament ku do të kërkojë firmën e deputetëve të Kuvendit  për ashpërsimin e sanksioneve.

Organizatorja  e peticionit, pjesë  e shoqërisë civile Anisa Bahiti teksa foli për rëndësinë e peticionit u shpreh e indinjuar për pjesëmarrjen e ulët të grave në aktivitet. Bahiti kërkoi më shumë mbështetje.

Ish-deputetja e Kuvendit të Shqipërisë , në profesion juriste Elena Xhina pohoi se ligjet në vend janë të forta, por çalon zbatueshmëria e tyre. Xhina foli me shqetësim mos mbrojtjen e jetës së gruas kur ajo disponon urdhër mbrojtjeje.

Edukimi i djemve, por dhe vajzave nis në familje e mandej konkretizohet në institucione arsimore. Për dy pjesëmarrëset në aktivitet në profesion mësuese e pedagogë, familja është ajo që duhet të bëjë maksimumin në edukimin  e fëmijëve, veçanërisht meshkujve.

Pavarësisht se thirrja për t’iu bashkuar kauzës dhe firmosur peticionin  ishte shpërndarë në rrjetet sociale, të pakta ishin gratë dhe vajzat që morën pjesë . Madje sot munguan gratë deputete, për ti dhënë zë kombëtar kauzës. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!