Mbrëmjen e nesërme Champions League starton me fazën e grupeve, ku gjithë sytë do jenë në “Camp Nou”. Barcelona dhe Bayern Munchen sfidojnë njëra-tjetrën për herë të parë pas atij rezultati historik me shifrat 8-2.
Sot në konferencë për mediet foli trajneri i katalanasve, Ronald Koeman. Ish-mbrojtësi u shpreh se kjo ndeshje do tregojë fuqinë e Barcelonës dhe shprehet se ka besim se mund t’i bëjë dëm kampionëve gjermanë.
“Bayern është ekip i madh, me cilësi shumë të mira individuale, me lojtarë me përvojë. Kam shumë shpresë se mund të konkurrojmë në Champios League. Luajmë në shtëpi dhe do të përpiqemi të marrim rezultat të mirë.
Kemi pasur ndryshime të rëndësishme në ekip, por futbolli nuk të jep shumë kohë. Kjo është arsyeja pse kjo është një ndeshje interesante nga e cila mund të nxjerrim përfundime për nivelin tonë.
Humbja 8-2? Kemi folur për atë që ndodhi më shumë se një vit më parë. Është një mundësi për të ndryshuar situatën për ata që e përjetuan atë humbje. Do te jetë një ndeshje me intensitet dhe ne mund ta godasim Bayernin. Mund t’ia dalim.
Mendoj se fizikisht jemi mirë. Ata që kanë qenë me kombëtaret kanë pushuar, kurse pjesa tjetër janë stërvitur shumë. Triumfi në Champions? Është një pyetje të cilës nuk mund t’i përgjigjem. Nesër mund të nxirren përfundimet. Rivali ynë do maksimumin, kurse vjet e fitoi Chelsea dhe nuk ishte favorit.
Rinovimi? Nuk ka asnjë kusht në kontratën time, por nuk dua të flas më. Si çdo trajner, për të qenë pjesë e Barcelonës duhet të fitosh ndeshje. Jemi në një moment ndryshimi, pjesa tjetër nuk është e rëndësishme. E ardhmja ime nuk është e rëndësishme, ajo e klubit dhe e skuadrës, po.
Raporti me presidentin? Marrëdhënia është e mirë dhe nëse ka diçka, ne flasim. Duam më të mirën për klubin, por ka gjëra për të cilat flitet. Nuk kam asnjë problem me presidentin. Kemi marrëdhënie perfekte, askush nuk ankohet. Ka pasur gjëra të vogla, për të cilat kemi folur dhe kemi rënë dakord”, përfundoi Koeman. /abcnews.al