Nëna e Sabrina Bengajt, Valentina ka rrëfyer momentin kur Elton Metaj i vrau vajzën në banesë, mbrëmjen e së premtes. Nëna thotë për mediat se 31-vjeçari e vrau të bijën me bukë në gojë.
E ëma tregon se Sabrina sapo ishte kthyer nga puna dhe po konsumonte darkën, ndërsa Eltoni vjen pas saj pak çaste më vonë dhe ka trokitur në derë.
Valentina thotë se është munduar ta qetësojë ish-dhëndrin, i cili në dorë mbante armën kallashnikov. Siç tregon ajo në atë moment afrohet Sabrina me bukë dhe pjatën në dorë, ndërsa pas një debati të shkurtër verbal ai e ka qëlluar sapo ajo ka kthyer shpinën.
“Po shkonte ora 10:20 vajza punonte, kur ishte turni i dytë unë dilja sepse ia kisha frikën atij njeriu. Kur isha ulur te karrigia më dukej nga frika…se ka bërë terror vjet në shtëpinë tonë. Unë e kuptova direkt, vajzën e prita po hante bukë, ishte me bukë në gojë.
Unë po vazhdoja punët. Sa e pashë që do hapte derën e jashtme, kur ai e hapi derën, thashë mos ky do jetë Eltoni. Kur e hapi derën ishte me kallash. Unë vura kujën dhe me atë qetësinë time iu afrova dhe i thashë, e mora me të mirë: të lutem i thashë, ishe 10 muaj në burg, merre armën dhe ik pa të parë njeri, e ke bërë njëherë këtë terror. Ku është ajo më tha. Vajzën tjetër e kisha në dhomë edhe nusen.
Del nusja dhe më thotë ma çfarë është. Doli vajza me bukë dhe pjatë në dorë, i vuri automatikun. Vajza i tha mos e godit atë se është shtatzënë, për nusen. Nxirrni Armandon tha për çunin, sa ktheu kurrizin çupa ai e goditi,” shprehet ajo.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes në Zhupan të Fierit. Ndërkohë, në 20 shtator të vitit të shkuar për më shumë se 5 orë Elton Meta në kërcënimin e armës mbajti peng ish-bashkëshorten dhe familjen e saj në banesën e tyre, duke qëlluar dy herë në ajër.
Ai u neutralizua nga Renea dhe u dorëzua. 31-vjecari u prangos dhe ndaj tij u ngritën 3 akuza, dhunë në familje, kundërshtim të forcave të policisë dhe armëmbajtje pa leje. Dhe pse me akuza të rënda, Elton Metaj fitoi lirinë.
Prokurori Çlirim Sino i kërkoi gjyqtarit Piro Sota shtrim të tij në spitalin psikiatrik ku qëndroi disa muaj. I njëjti gjyqtar më pas ndryshoi masën e sigurisë nga shtrim i detyruar në spital, në kurim ambulator në shtëpi. Në fund të muajit korrik ai la spitalin dhe shkoi në shtëpi. g.v/abcnews.al