Nga Xhensila Kodra
Ashensori i një pallati 9 katësh në kompleksin “Fratari”, në zonën e Astirit, rrezikoi jetën e disa personave, pasi për shkak të shkëputjes së tij, teksa ishte në zbritje nga kati i katërt.
Dy gra, njëra prej tyre shtatzënë mbetën të dëmtuara si pasojë e shkëputjes së ashensorit.
ABC mëson se në të ndodheshin disa persona. 3 burra, dy gra dhe 2 fëmijë. Për shkaqe ende të pa zbardhura nga ekspertët, ashensori pësoi defekt, duke u shkëputur mes katin të parë e të dytë.
Banorët u nxorën prej andej nga fqinjët.Ata tregojnë se ky ashensor ka shfaqur probleme edhe disa herë të tjera dhe për këtë gjë kanë vënë në dijeni administratorin.
“Paguajmë nga 10 mijë lejë në muaj të gjithë. Isha në gjumë, por zhurma na zgjoi dhe britmat e kalamajve, ishte e vështirë,” thotë një banore.
Ndërsa ky çift, sapo hyn në shtëpinë e re dhe do t’u duhet që deri në katin e 8-të të ngjiten në këmbë.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të së dielës, policia shoqëroi për të marrë në pyetje disa persona, mes tyre administratori, inxhinieri dhe përgjegjësi i mirëmbajtjes së ashensorit.
Gjatë marrjes në pyetje, administratori deklaroi se ka vënë në dijeni përgjegjësin, por ky i fundit nuk ka kryer kontrollet e duhura.
Ndërkohë, në një reagim të bërë nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, thuhet se pranë këtij institucioni nuk rezulton që ky subjekt të jetë i regjistruar.
Sipas ISHMT-së, rezulton se ashensori ka pësuar “defekt teknik” dhe nuk ka qenë i inspektuar nga një Trupë e Autorizuar. Sipas tyre, përgjegjësia kryesore është e administratorit të pallatit, i cili duhet të njoftojë personat përgjegjës që duhet të kryejnë kontrollin e tij, për të verifikuar nëse ashensori ka ose jo kushtet e duhura teknike.
Mësohet se ashensori i këtij pallati, kishte disa vite që nuk ishte kolauduar dhe dyshohet që në muret anësore të tij të ketë pasur defekte teknike. Një tjetër dyshim i ekspertëve është se ashensori mund të ketë pësuar defekt edhe për shkak të mbipeshës. /abcnews.al