Shehi: Tirana do minimumi Europën! Partizani apo Dinamo? Shigjetoj ndeshjen e radhës

schedule10:17 - 11 Shtator, 2021

schedule 10:17 - 11 Shtator, 2021

Orges Shehi, trajneri i Tiranës, para ndeshjes që bardheblutë luajnë sot me Skënderbeun, ka dalë në konferencë për shtyp dhe u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Vjet durrsaku e mori ekipin në mes të kampionatit, kurse këtë sezon e nis nga fillimi. Sigurisht që situata për të është ndryshe, sikurse edhe vetë Shehi e thotë:

“Nuk është njësoj të marrësh skuadrën në fillim të kampionatit dhe në mes të kampionatit. Kemi pasur kohë të mjaftueshme, kemi zhvilluar shumë fazë përgatitore, jemi munduar të jemi gati për Skënderbeun. Kemi bërë një merkato të mirë, kemi lojtarë me shumë ambicie dhe të rinj në skuadër për të arritur objektivat tanë. Gjendja është e mirë, Bekaj është mirë, doli negativ në testet e COVID-19”.

“Kundërshtarët? Të gjitha skuadrat janë të forta, duhet të bëjmë maksimumin. Janë bashkuar skuadra si Dinamo që dihet historia e tyre, por edhe këtë vit është e fortë, edhe Egnatia gjithashtu. Do të jetë një kampionat me shumë rivalitet. Ne jemi tek klubi më i titulluar në vend, objektivi është i qartë, minimumi është Europa.

Është riformatuar skuadra, kanë ikur shumë lojtarë cilësor që do të bënin mirë me çdo skuadër, por kemi marrë lojtarë që kanë shumë cilësi dhe koha do ta vërtetojë nëse do të jenë njësoj si ata që u larguan”, tha më tej trajneri Shehi, i cili më pas u pyet edhe për aplikimin e sistemit VAR në Abissnet Superiore.

“Normalisht që VAR-i është një teknologji që të ndihmon, por nuk zhduk asgjë. Ka dhe disa gjëra që VAR-i nuk i ndan. Për ne është një risi, sepse do të ketë ndalesa në lojë që do të duhet të mësohemi, do të ketë raste që do të gëzohemi dhe hidhërohemi sigurisht sepse mund të na heqi një gol. Fillimi është pak i vështirë sepse do të duhemi të mësohemi”, shtoi durrsaku.

Tani në Tiranë nuk ka një derbi, por dy. Shehi deklaron: “Kryeqyteti ka tre skuadra, që kanë shumë tituj në kurriz. Kryeqyteti është baza dhe do të ketë shumë derbi, të treja janë me petkun e pretendentit. Do të shihet se kë do të shigjetojnë trajnerët e tjerë, por unë do të shigjetoj skuadrën që do të luaj ndeshjen e radhës”.

“Tifozët? Dihet që çfarë peshe ka tifozeria në skuadrën tonë, është një plus i madh për ne. Shpresojmë që të bëjmë sa më mirë dhe maksimumin edhe për ta që t’i kënaqim, me lojën me pretendentin edhe me një Tiranë që të jetë gjithmonë në majë”, përfundoi Shehi deklaratën e tij. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!