Cupra ka zbuluar Tavascan Extreme E, një makinë elektrike garash që do të dalë në treg në vitin 2024. Koncepti karakterizohet nga një dizajn krejtësisht i ri dhe përdor gjerësisht materiale natyrore që jo vetëm e bëjnë atë më të qëndrueshëm, por edhe më fleksibël dhe të lehtë për t’u riparuar. Fenerët, të cilët përbëhen nga tre grupe trekëndëshash, i japin pjesës së përparme një pamje imponuese.
Ndriçimi është i integruar në një kornizë të printuar 3D, një metodë e zgjedhur për t’i dhënë Tavascan Extreme E një avantazh teknologjik ndaj konkurrentëve të tij. Pjesët e printuara 3D janë më efikase sepse mund të prodhohen në vetëm gjashtë orë, kështu që ekipi mund t’i ndryshojë ato shpejt, pa pasur nevojë për mjete të rënda dhe të shtrenjta.
Struktura e trupit është bërë nga fibra të nxjerra nga bima e lirit, duke zëvendësuar fibrat e karbonit dhe duke zvogëluar ndikimin e automjetit në mjedis. Cupra Tavascan Extreme E është i pajisur me një bateri 54 kWh të vendosur prapa kabinës, e cila arrin shpërndarjen optimale të peshës dhe lejon shpejtësinë nga 0 në 100 km / orë në rreth 4 sekonda.
/abcnews.al