Ministri i Jashtëm hungarez është i bindur se emigracioni nuk është pjesë e të drejtave të njeriut. Ai bëri të qartë se në Hungari nuk ka asnjë emigrant të paligjshëm dhe as nuk do të ketë.
“Kemi mësuar nga eksperienca se emigrimi i paligjshëm masiv dhe i pakontrolluar, mund të destabilizojë vendet e destinacionit. Hungaria kërkon bashkëpunimin e menjëhershëm të OSBE-së për të ndaluar flukset e reja të emigracionit”.
Është kjo deklarata e ministrit të Jashtëm hungarez, Peter Szijarto, i cili mori pjesë në këshillin e 25-të të ministrave të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë. Edhe pse takimi u përqendrua më shumë në konfliktin aktual mes Rusisë dhe Ukrainës, ministri i Jashtëm hungarez foli vetëm për rrezikun e emigracionit, duke u thënë gazetarëve se Hungaria po bën të pamundurën për ta ndaluar. Sipas tij Bashkimi Europian duhet të pëballet paralelisht me pesë sfida historike: emigracionin, kërcënimin e terrorizmit, sigurinë energjitike, konfliktin Ukrainë–Rusi dhe Brexit.
Ministri i Jashtëm hungarez u shpreh se është e papranueshme ideja për të mos bërë diferencime në bazë ligjore për emigrantët. Gjithashtu ai theksoi se nuk mund të pranojë që emigrantët të kenë të njëjtat shërbime dhe asistencë sociale si qytetarët hungarezë. Ndërsa nuk mund të jetë reale asnjë fushatë për aspektet pozitive të emigracionit, pasi emigracioni duhet të ndalohet dhe jo të menaxhohet, theksoi ai. I pyetur nga gazetarët se sa ishte numri i emigrantëve të paligjshëm në Hungari ai u përgjij: zero dhe as nuk i duam./abcnews.al