Francë, frikë nga dhuna e “Jelekëve të Verdhë”

schedule23:24 - 6 Dhjetor, 2018

schedule 23:24 - 6 Dhjetor, 2018

Qeveria franceze është e shqetësuar se protesta e radhës e “Jelekëve të Verdhë” në Paris mund të degradojë sërish në dhunë. Kryeministri Eduard Filip ka paralajmëruar se mund të nxjerrë në rrugët e kryeqytetit auto-blindat, skenar që nuk verifikohet në vendin europian që prej vitit 1968.

Qeveria franceze i druhet rritjes së dhunës të shtunën e ardhshme në Paris, pasi lëvizja “Jelekët e Verdhë” nuk ka shfaqur sinjale tërheqjeje nga protestat. Qeveria ka deklaruar se, nga ana e saj u tërhoq përkohësisht nga rritja e çmimit të karburanteve, që ishte dhe motivi i protestave. Por pakënaqësia që ka përfshirë vendin kundër qeverisë është përhapur dhe ka prekur edhe çështje të tjera. Të enjten, mbi 140 persona u arrestuan gjatë një proteste kundër reformave të propozuara për sistemin arsimor. Tubimi i mbajtur në Ivelin u mbyll me përplasje me trupat e policisë, që ishin mbledhur përpara një shkolle. Ndërkohë, në shumë shkolla të tjera, në qytetet Marsejë dhe Paris, u parandaluan manifestime të ngjashme.

Ndërkohë, manifestimi i planifikuar për të shtunën nuk ka gjasa të parandalohet. Protestat e fundit të “Jelekëve të Verdhë” kaluan në dhunë dhe shkaktuan miliona euro dëme. Duke folur përpara Senatit francez, kryeministri Eduard Filip paralajmëroi se për të shmangur dhunën do të përdoren “mjete të jashtëzakonshme”, përfshirë këtu 65 mijë efektivë policie shtesë. Duke konfirmuar se nga plani për taksën e karburantit është hequr dorë, Filip shtoi se qetësia e verifikuar tek protestuesit në mbarë Francën bie ndesh me dhunën e konstatuar në Paris. Sipas mediave franceze, kryeministri do të vendosë të shtunën nëse do të nxjerrë në rrugët e kryeqytetit autoblinda, nëse protestuesit do të ngrenë barrikada. Një skenar i tillë nuk ndodh në vendin që ka ekonominë e dytë më të madhe në Europë që prej vitit 1968./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!