Qeveria e re, analistët: Rama rinovoi partinë, Basha të dalë jashtë “Berishizmit”

schedule16:25 - 3 Shtator, 2021

schedule 16:25 - 3 Shtator, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Edi Rama prezantoi kabinetin me të cilin do të qeverisë në mandatin e tij të tretë, ku më shumë se emrat që ndryshuan pak, vëmendjen e mori prezenca e 12 grave në postet ministrore.  Por a ishte përzgjedhja e kryeministrit një shenjë se i gjithë kabineti qeverisës do të jetë nën kontrollin e plotë të tij?

Unë nuk mendoj personalisht që një burrë në vend të një gruaje do të ishte një nga njerëzit që do i thoshte “Jo” kryeministrit. Mendoj se ka figura brenda kabinetit që janë të afta t’i thonë “Jo”. Edhe të përpiqen të ndryshojnë edhe vendimmarrjen” tha Iris Luarasi.

Dihet që Rama ka preferuar zhvillimin e roleve të veta ekzekutive, menaxheriale, bashkiake, të punojë me gra. Në këtë drejtim duhet t’i drejtohemi teorive psikologjike, se përse? Të punuarit me gra nënkupton luajalitet, korrektësi, ndjenjë gare, konkurrencë, etj” tha Mentor Nazarko.

Por teksa gratë morën frenat e qeverisë, ‘garda’ e vjetër e PS humbi spaletat duke u akomoduar pjesërisht në kryesinë e PS apo në sekretariate pa peshë të fortë politike. “Ardhja e figurave të reja vetëm flet mirë për një parti politike” tha Luarasi.

Përpjekja e Ramës ishte nga njëra anë për të garantuar vazhdimësinë nga ana tjetër për të futur sa më shumë gjak të ri” tha Nazarko.

Për Mentor Nazarkon, në ciklin e tretë të opozitarizmit Lulzim Basha do të ndryshojë sjellje në Parlament dhe në komunikimin me kundërshtarin e tij politik.

Përtej nevojës që Basha të lëpijë plagët e krijuar nga disfata, përtej nevojës për të ndërruar regjistrin e gjuhës së tij politike, unë mendoj se e ka kuptuar se në komunikimin politik dhe ndërveprimin politik duhet të veprojë ndryshe, jashtë modelit të “Berishizmit” tha ai.

Në kabinetin e ri qeveritar, kryeministri Rama zgjodhi të përfshijë 12 gra dhe 4 burra në poste ministrore, pjesa më e madhe e të cilëve u konfirmuan në detyrë./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!