Ish-presidenti amerikan Donald Trump është shprehur të martën se Joe Biden duhet t’i kërkojë falje të gjithë botës për tërheqjen e SHBA-ve nga Afganistani. Tërheqjen e organizuar nga Biden, Trump e cilësoi si një katastrofë dhe trupërim për kombin.
Deklaratat, ish-presidenti amerikan i bëri gjatë një telefonate me moderatorin Stuart Varney nga Fox Business Network.
Trump, i cili në marrëveshjen e arritur me talebanët kishte vendosur majin si muaj tërheqjeje dhe e uli numrin e trupave në 2,500 përpara se Biden të merrte detyrën, kritikoi mënyrën sesi presidenti aktual e realizoi operacionin e tërheqjes.
“Tërheqja ishte një katastrofë. Ata na thanë të largoheshim, ata na dhanë datën dhe kaq ishte. Ai operacion ishte një turpërim absolut për SHBA-të dhe admiralët dhe gjeneralët kanë të drejtë që të heqin dorë.”
Sipas Donald Trump, pasuesi i tij duhet t’u kërkojë falje amerikanëve dhe gjithë botës.
“Mendoj se gjëja më e mirë që ai mund të bëjë është t’u kërkojë falje amerikanëve dhe botës. E gjithë bota meriton një kërkim faljeje.” /abcnews.al/