Shqiptarët shkëlqejnë në Europë

schedule22:02 - 4 Dhjetor, 2018

schedule 22:02 - 4 Dhjetor, 2018

Gola dhe vlerësime të mira për futbollistët shqiptarë në Europë. Sulmuesit Vrioni e Cikalleshi gjetën rrugën e rrjetës, ndërsa Herdi Prenga u zgjodh në formacionin e javës në Kroaci.

Kombëtarja ndoshta nuk bind, por disa nga lojtarët e saj, po. Kristian Panuçi mund të jetë me shpresë pasi sulmuesi i ri, Xhakomo Vrioni, po vazhdon të rritet në Itali. Lojtari 19-vjeçar shënoi golin e tij të parë në Serinë B, në radhët e Venecias, në një barazim të rëndësishëm 1-1 në fushën e Foxhës. Vrioni kishte shënuar më parë në ndeshje kupe, ndërsa Panuçi ka shpresë tek talenti i tij.

Gol edhe nga një sulmues tjetër, por që është një veteran i kombëtares. Sokol Cikalleshi realizoi në kompeticionin e tij të preferuar, në Kupën e Turqisë, në fitoren 3-0 të Gëztepesë në fushën e Beledijesporit. Shqiptari hapi rezultatin me rrjetën e minutës së 12-të, ndërsa suksesi u vulos vetëm në minutat shtesë.

Ky ishte goli i 14-të i tij në Kupë, që kur luan në Turqi. Po në një ndeshje kupe, në Hungari, shënoi Liridon Latifi për Akademinë Pushkash, në fitore 6-0 jashtë fushe. Në Kroaci, ndërkaq, janë dy lojtarë shqiptarë që shkëlqejnë.

Njëri prej tyre është Herdi Prenga, i cili u përzgjodh në formacionin e javës pas fitores së Interit të Zapreshiqit në fushën e Iskrës, në ligën e parë kroate. Mbrojtësi u tregua i pakalueshëm në suksesin 2-0. Një tjetër lojtar i kombëtares, Myrto Uzuni, ka dalë tri herë në formacionin e javës.

Ai shënoi javën e kalaur në barazimin 2-2 të Lokomotivës së Zagrebit ndaj Osijekut, duke qenë në kuotën e 4 golave, ndërsa skuadra e tij mbetet e dyta. Duke u kthyer në Itali, sërish ka lajme të mira për kombëtaren dhe për Panuçin, pasi një lojtar i ri po njeh rritje

Emanuele Ndoj është një nga më të vlerësuarit në Serinë B, pasi në ndeshjet e deritanishme ka marrë notën mesatare 6.27. Ai ka luajtur disa herë për ekipin përfaqësues dhe ka shënuar gol në miqësoren ndaj Rumanisë./abcnews.al