Barcelona ka triumfuar në shtëpi kundër Getafe me rezultatin 2-1 dhe ka marrë pikët e plota, duke mbajtur ritmin e skuadrave të tjera kryesuese që kanë nga 7 pikë në tre javët e para të kampionatit.
Katalanasit e nisën me gol duelin e sotëm, pasi Sergi Roberto nuk fali brenda zone që në minutën e dytë të ndeshjes. Thonë që fillimi i mbarë është gjysma e punës, por duhej një rifillim për ekipin e Koeman.
Getafe vendosi baraspeshën pa u bërë 20 minuta lojë, me një aksion model. Gjithsesi Barcelona e kishte të qartë që duhet të fitonte dhe me Memphis Depay riktheu epërsinë.
Katalanasit kontrolluan lojën dhe kishin mundësinë të shënonin edhe golin e tretë. Getafe nga ana tjetër nuk u dorëzua në asnjë moment, nisur edhe nga diferenca me një gol. Gjithsesi deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe Barcelona mori tre pikët. /abcnews.al


