Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale bëri me dije se qeveria është duke negociuar me kompaninë Pfizer për 500 mijë doza vaksinash.
“Do të vijojmë të rrisim sasinë e vaksinave në vend. Qeveria po negocion me kompaninë Pfizer për 500 mijë doza të tjera vaksinash, që parashikohet të vijnë brenda vitit.” shkruan Rama.
Këtë lajm Rama e ka dhënë teksa ka shpërndarë edhe një inspektim nga ministrja Ogerta Manastirliu e cila ka ndjekur procesin e vaksinimit në Poliklinikën Qendrore, një nga 4 poliklinikat e Tiranës, ku po kryhet vaksinimi anticovid.
“Fokusi është tek vaksinimi i çdo qytetari +18 vjeç. Ndaj ne jemi duke krijuar mundësinë që edhe në ato pika të ofrimit të kujdesit shëndetësor siç janë poliklinikat, tashmë të kemi hapur pikat tona të vaksinimit. Ky është një shembull, edhe këtu në poliklinikën qendrore, siç e njohim të gjithë, ku çdo qytetar mund të vijë dhe të kryejë vaksinën. Mjafton të ketë kartën e identitetit. Padyshim, ne do të vazhdojmë që ta konsiderojmë jo vetëm çdo ditë, por sidomos muajin shtator, një muaj vendimtar për të rritur mbulesën vaksinale, duke qenë se jemi afër hapjes së shkollave, më tej universiteteve”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë gjatë fjalës së saj ka bërë apel për vaksinim duke thënë se çdo i pavaksinuar përbën një kosto për jetën dhe shëndetin e vetes, por edhe të shoqërisë.
“Çdo i pavaksinuar është një kosto, përbën një kosto jo vetëm për jetën dhe shëndetin e vetvetes, por gjithashtu edhe për familjarët, për shoqërinë. Është një kosto për sistemin shëndetësor. Duhet të kuptojmë që në Infektiv kemi 95% të rasteve, mes tyre janë edhe raste të rënda, që janë të pavaksinuar. Pikërisht fakti që janë të pavaksinuar dhe janë në një gjendje të rënduar shëndetësore është një arsye më shumë që të gjithë qytetarët të vaksinohen sa më shpejt, pa humbur kohë, për të mbrojtur jetën, shëndetin, për të ulur risqet dhe pasojat që sjell mungesa e vaksinimit”, tha Manastirliu.
Deri tani në vendin tonë kanë mbërritur 1,899,172 vaksina. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,427,977 doza të vaksinës ndaj COVID-19. /abcnews.al/