Vijon..
Nga Hasan Bello
Në arkivin e MPJ ekziston një sasi e konsiderueshme dokumentacioni, i cili tregon për impenjimin e diasporës shqiptare ndaj demonstratave të vitit 1981. Por ajo që duhet theksuar është fakti se ambasadat shqiptare nuk kanë luajtur asnjë rol për sensibilizimin e opinionit publik ndërkombëtarë për të mbrojtur të drejtat e popullsisë shqiptare në Kosovë.
Përkundrazi, edhe kur kishte ndonjë gazetë që shkruante, kërkonte prononcime publike ose konfidenciale, diplomatët shqiptarë i shihnin gazetarët e huaj me dyshime dhe shpesh-herë i konsideronin ata si provokatorë të shërbimeve sekrete.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për emigrantët politikë dhe ekonomikë. Angazhimet dhe shqetësimet e shprehura nga këta të fundit për demonstratat e vitit 1981, nuk gjenin asnjë përgjigje konkrete, asnjë mbështetje apo frymë solidariteti kombëtarë. Madje, qeveria shqiptare do të marrë masa duke i “përforëcuar” disa ambasada me oficerë të Sigurimit të Shtetit që do të merreshin ekskluzivisht me emigracionin kosovarë me qëllim për ta mbajtur atë nën kontroll.
Një nga përfaqësitë tona diplomatike më të angazhuara në këtë drejtim do të jetë ambasada shqiptare në Ankara e sidomos konsullata e Stambollit. Kjo për shkak të afërsisë gjeografike dhe se në Turqi kishte një numër të madh shqiptarësh.
Një pjesë e tyre ishin kundërshtarë jo vetëm të Jugosllavisë, por edhe të Enver Hoxhës. Prandaj “vigjilenca” e diplomatëve shqiptarë ndaj emigracionit politik në Turqi ishte shumë e madhe. Në relacionet e hartuara prej tyre pasqyrohet shqetësimi me të cilin këta emigrantë ndiqnin ngjarjet e 1981 dhe përpjekjet për të sensibilizuar opinionin publik turk.
Kjo vihet re dhe nga artikujt e shumtë që u botuan në këtë periudhë. Pjesa dërrmuese e tyre mbronte kërkesat e drejta të popullsisë shqiptare.
Kështu, një nga gazetetat më të njohura të kohës (“Günaydın”), duke i bërë jehonë artikujve të botuar në shtypin e Tiranës, në faqe të parë, me gërma kapitale botonte “Shqipëria ja tha hapur Jugosllavisë”. Në rrethet e shqiptarëve të Turqisë u vu re një angazhim serioz për tu ardhur në ndihmë vëllezërve të tyre në Kosovë. Për këtë, kishte pikëpamje të ndryshme, disa i kërkuan leje qeverisë turke për të organizuar protesta përpara ambasadës dhe konsullatës jugosllave; disa i dërguan letra OKB-së; ndërsa me ndërhyrjen e shqiptarëve, komiteti organizator i festivalit të Bursës, anulloi pjesmarrjen e grupit serb. Sidoqoftë, ngjarjet e 1981 e rritën dhe e forcuan akoma dhe më shumë ndjenjën e patriotizmit tek shqiptarët e Turqisë.
Në SHBA demonstratat e vitit 1981 do të pasqyrohen gjerësisht në gazetat më të njohura të kohës. Sipas të dhënave të mbledhura nga përfaqësia shqiptare në OKB (e cila ishte e vetmja ambasadë në New York, sepse zyrtarisht qeveria shqiptare nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të), deri në muajin qershor të vitit 1981 mbi ngjarjet në Kosovë, kishin shkruar 46 gazeta dhe ishin botuar mbi 123 artikuj. Përsa i përket tipologjisë, 61 prej tyre ishin artikuj të gjatë komentues, 48 artikuj të shkurtër me karakter informues, 10 të mara nga gazetat e tjera dhe 4 të mara nga agjencia “Tanjug”.
Një rol pozitiv do të luaj edhe lobi shqiptar në SHBA. Nga dokumentacioni rezulton se pjestarë të këtij komuniteti, që njiheshin si financues të fushatës për zgjedhjen e presidentit Regan, zhvilluan një takim me një bashkëpuntorë të tij dhe i kërkuan që qeveria amerikane të përkrahte çështjen e Kosovës. Por në kundërshtim me pritshmëritë e tyre, ai u deklaroi se Amerika dëshironte që Shqipëria dhe Jugosllavia të ruanin të njëjtat raporte.
Kjo përgjigje justifikohet me një qëndrim pritës që amerikanët ishin të detyruar të mbanin derisa të krijoheshin kushtet për rënien e perdes së hekurt. Një përgjigje pak a shumë e ngjashme ishte edhe ajo e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit për një reporter, kur ky i fundit e kishte pyetur për ngjarjet në Kosovë. Sipas tij, “këto ngjarje nuk ishin të rëndësishme”.
Por pavarësisht se SHBA kërkonin të mbanin një qëndrim neutral mbi ngjarjet në Kosovë dhe t`i paraqisnin ato si të parëndësishme, ajo shprehej kështu sa herë që nuk donte t`i shprehte hapur qëndrimet e saj. Një gazetar i kohës i deklaroi diplomatëve shqiptar në New York se qeveria amerikane nuk dëshironte asnjë ndryshim në Jugosllavi, sepse, kjo e fundit, jo vetëm që konsiderohej satelite e saj, por mbi të gjitha i trembej synimeve sovjetike ndaj Jugosllavisë.
Nga ambasadat shqiptare në Perëndim konstatohej se tek emigracioni shqiptar ekzistonte një shqetësim i theksuar për ngjarjet në Kosovë. Personalitete të ndryshme të kohës do të vizitojnë përfaqësitë e shteteve perëndimore dhe do të kërkojnë prej tyre mbështetje maksimale për demonstratat e 1981, si përpjekje e popullsisë shqiptare në Jugosllavi për të fituar të drejtat e tyre. Por pavarësisht këtyre përpjekjeve individuale, spontane dhe të paorganizuara, në krye të axhendës diplomatike të ambasadave shqiptare mbetej lufta kundër “imperializmit sovjetik dhe atij amerikan”.
Një “peshë” më të madhe se çdo përfaqësi në këtë periudhë kishte ambasada shqiptare në Beograd. Kjo për shkak të kompetencës diplomatike të drejtpërdrejt që ambasadori shqiptar në Jugosllavi kishte për të ndjekur me vëmendje ngjarjet e 1981-shit. Prandaj edhe relacionet e tij për MPJ kanë një rëndësi të madhe historike, duke na ndihmuar për të analizuar më mirë e për të kuptuar më qartë angazhimin e shtetit shqiptar për të mbrojtur interesat e bashkëkombasve të tyre.
Edhe pse kishin kaluar disa muaj nga demonstratat e pranverës, ambasadori shqiptar në Beograd, Sokrat Plaka informonte MPJ se, në Kosovë gjendja mbetej e njëjtë, shtetrrethimi nuk ishte hequr, ndërsa lufta mes shqiptarëve dhe serbëve vazhdonte. Ai theksonte se tipar dallues i kësaj lufte, në këtë etapë, ishte rezistenca e vazhdueshme, në fillim me aksione konkrete dhe tani më tepër në formën e rezistencës së heshtur.
Kjo vihej re në të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare në Kosovë. Një tregues i tillë tregonte unitetin që ekzistonte përballë politikës së diferencimit dhe diskriminimit politik, social dhe ekonomik që Beogradi zyrtarë ndiqte ndaj Krahinës Autonome të Kosovës.
Goditja pas demonstratave të 1981-shit, nuk u shtri vetëm në sferën e jetës civile, por ajo mori përmasa të gjithanshme, duke përfshirë drejtuesit më të lartë të administratës dhe udhëheqjes krahinore dhe federative shqiptare të Lidhjes Komuniste Jugosllave.
Sipas një deklarate të datës 25 qershor të sekretarit të kryesisë së Lidhjes Komuniste të Serbisë, Spiro Golloviç, politikën e re vështirë se mund ta drejtonin personalitet që ishin përgjegjës për politikën e vjetër.
Në fakt, nuk munguan edhe disa zëra brenda LKJ-së që çështja e demonstratave të 1981-shit dhe pakënaqësia që kishte shpërthyer në Kosovë të zgjidhej në kuadër të parimit të barazisë dhe me anën e politikave, të cilat ishin aplikuar nga Tito dhe udhëheqësit e tjerë jugosllavë. Kjo kërkesë, e cila ishte disi më e ekuilibruar dhe më e arsyeshme vinte kryesisht nga drejtues kroato-sllovenë, ndërsa serbët mbanin qëndrime më radikale.
Por në thelb të saj qëndronte dhe një arsye tjetër. Problematikat e Federatës Jugosllave dhe politika hegjemoniste e Serbisë nuk kishte shkaktuar pakënaqësi vetëm tek shqiptarët. Demonstratat e 1981-shit në Prishtinë ndikuan edhe tek kombësitë e tjera.
Me interes për ambasadorin Sokrat Plaka ishte fakti se këto demonstrata kishin rritur peshën e faktorit shqiptar. Me këtë, ai kishte parasysh rolin e Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar në marrëdhëniet me Jugosllavinë. Sipas tij, problemi i Kosovës kishte hyrë në fazën e “betejës pa emër” midis RPS të Shqipërisë dhe Serbisë.
Ai thekson se, fitorja pa tjetër që i përkiste Shqipërisë. Por më pas duke ditur qëndrimin e Enver Hoxhës, i cili deri në këtë periudhë kishte qenë kundër dy republikave shqiptare në Ballkan, Sokrat Plaka shkruan se me fitore, ai nuk nënkuptonte republikën, por një avancim të statusit të autonomisë.
Ai sugjeronte gjithashtu që shteti shqiptar të merte masa në fushën e propagandës dhe shtypit për të mbajtur gjallë frymën e solidaritetit me shqiptarët e Kosovës.
Për këtë mund të përdoreshin radiot e qyteteve kufitare me Jugosllavinë siç ishte radio Kukësi, radio Shkodra dhe radio Korça. Artikujt e botuar në gazetat e kohës mbi ngjarjet në Kosovë mund të përktheheshin dhe botoheshin si libra më vete, të pajisur me nga një hyrje konçize, për lexuesit brenda e jasht Shqipërisë.
Si përfundim mund të thuhet se shteti shqiptar nuk e luajti rolin e tij për sensibilizimin dhe mbështetjen e kërkesave që rinia kosovare shtroi për zgjidhje në pranverën e vitit 1981. Ai i trembej, e para, një vale të pakontrolluar protestash, e cila nga njëra anë mund të merrej si shembull brenda shtetit shqiptar dhe, e dyta, nga ana tjetër akuzave të Beogradit zyrtar, për një implikim të mundshëm të Tiranës në këto demonstrata.