Procedurat e ngadalësuara për evakuimin e afganëve që do të strehohen në Shqipëri për të paktën 1 vit, mund të bëjnë që ata të mos strehohen fare në konviktet e qytetit Studenti në Tiranë por të akomodohen menjëherë në strukturat hoteliere në zonat bregdetare.
Deklarata u bë nga kreu i qeverisë Edi Rama në rezidencën Studentore Universitare nr. 2. Rama u shpreh se nuk bëhet fjalë për të nxjerrë studentët për të strehuar në këto godina refugjatët afganë por për një akomodim të përkohshëm deri në përfundim të sezonit veror.
“Këtu është pjesa ku përkohësisht do vendosen afganët. Megjithëse po shtyhet ardhja e tyre për shkak të shtyrjes së fluturimeve. Mund të ndodhë që mund të mos nevojiten nëse lirohen strukturat hoteliere pas përfundimit të sezonit. Nuk bëhet fjalë që të ikin studentët për të sjellë afganët këtu. Dhe e dyta që është me rëndësi është që mund të vijë momenti që vaksinimi të jetë me detyrim”, u shpreh Rama.
Megjithatë verën e ardhshme afganët pritet të transferohen sërish nga strukturat hoteliere në godinat e konvikteve, pasi koha e qëndrimit të tyre në Shqipëri do të jetë të paktën 1 vit, kjo në bazë të vendimit të marrë ditën e djeshme në këshillin e ministrave, ku u ngrit edhe Task-Forca për koordinimin e këtij procesi me në krye ministren e Jashtme Olta Xhaçka. m.v/abcnews.al