Nga Esiona Konomi
Parlamenti i ri nuk do të ngjajë me atë që lamë pas. Partia Socialiste edhe pse në pushtet, nuk do të ketë më luksin e viteve të fundit, kur kontrollonte thuajse gjithë opozitën e re dhe miratonte çdo ligj që dëshironte, përfshirë edhe ndërhyrjet në Kushtetutë.
Rikthimi në parlament i Partisë Demokratike e detyron Edi Ramën që të ulet në tryezë me Lulzim Bashën për ligje që kërkojnë më shumë se 74 vota. E tillë është reforma zgjedhore.
Ka disa rrethana që e bëjnë të detyrueshme një ndërhyrje të tillë. E para është Gjykata Kushtetuese. Ajo ka rrëzuar një nen të Kodit Zgjedhor që caktonte formulën se si shpalleshin fitues deputetët përmes asaj që quhet “herësi”.
Ky nen duhet të rishkruhet nga Kuvendi sipas rekomandimit të Kushteteuses, e për këtë duhen 84 vota, që PS nuk i ka e vetme.
Ndërkohë përmirësimi i kuadrit ligjor elektoral kërkohet edhe në rekomandimet e OSBE-ODIHR në raportin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Paraprakisht, si PS ashtu edhe PD kanë shprehur gatishmërinë të bashkëpunojnë për reformën zgjedhore. /abcnews.al