Klasa politike shqiptare ka për detyrim që të garantojë votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit për zgjedhjet e vitit 2021, është shprehur Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla në një takim me emigrantët që jetojnë në Londër. Ai është shprehur besimplotë se paketa aktuale e Reformës Zgjedhore do të miratohet brenda Krishtlindjeve. Kreu i grupit parlamentar socialist prej dy ditësh po zhvillon një vizitë pune në kryeqytetin britanik ku ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme edhe në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.
Në takimet me deputetët Madeleine Moon, Presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, konservatorin Martin Vickers, John Groghan, i cili kryeson edhe Grupin për Shqipërinë në Parlamentin britanik, me Margaret Hodge si dhe me Drejtoreshën e Fondacionit Westminister, i cili pritet të hapë së shpejti një prezencë të vetën në Shqipëri, u diskutua edhe për nevojën e intensifikimit të shkëmbimeve tregtare dhe prezencës më të madhe të kompanive britanike në Shqipëri./abcnews.al