Pasi vendi ra në duart e talebanëve, disa udhëheqës dhe luftëtarë anti-taleban u mblodhën në Luginën Panjshir, me qëllimin formimin e një lëvizje të re kundër talebanëve. Ky grup i ri që po krijohet në verilindje të Kabulit kundër regjimit taleban besohet të jetë krijuar nga zv/presidenti i Afganistanit Amrullah Saleh dhe Ahmad Massoud, djali i ushtarit të famshëm Ahmad Shah Massoud.
Ahmad ishte vetëm 12 vjeç kur Massoud u vra nga Al-Kaeda. Dalja e tij e parë publike ishte pranë arkivolit të babait të tij. 15 vite më vonë, Ahmad, djali i vetëm i komandantit karizmatik, i cili ishte mbrojtja e vetme e Afganistanit kundër talebanëve është gati të mbrojë sërish vendin njësoj si babai i tij.
Massoud ishte i njohur si ‘Luani i Panjshir’. Për një komandant veteran Taxhik, Massoud ishte një figurë madhështore, e rëndësishme në formimin e Aleancës Veriore që mbrojti vendin nga India, Irani dhe Rusia, dhe dëboi talebanët.
Në vitet 1990, Massoud u bë ministri i mbrojtjes në kabinetin e Burhanuddin Rabbani. Ai është një hero kombëtar, edhe pse kujtimet e tij në Kabul janë njollosur nga shkatërrimi në kryeqytet gjatë luftës civile të viteve 1990, raporton abcnews.al
Më 9 shtator 2001, dy ditë para sulmeve terroriste në Amerikë, Massoud u plagos për vdekje me urdhër të Al-Kaedës nga një bombë në banesën e tij që u vendos nga dy burra që hiqeshin si gazetarë.
Por kush është Ahmadi?
Gati 20 vite pas vrasjes së babait të tij, Ahmad shpresonte të vazhdonte misionin kundër kryengritësve. Vdekja e babait të tij ishte një tronditje e thellë për një fëmijë i cili, përkundër shkatërrimit të luftës, nuk kishte parë kurrë një kufomë më parë.
“Gjithçka ndryshoi,” tha Ahmad për AFP. “Nga ai moment kuptova se duhej të ndryshoja gjithçka që kam mësuar deri më tani, dhe në moshën 12 vjeçare duhet të isha një person tjetër.”
Duke kundërshtuar procesin e paqes afgane në vitin 2019 – për të cilin Ahmad besonte se nuk përfaqësonte interesat e të gjithë afganëve, në shtator 2019, ai njoftoi krijimin e një koalicioni të ri të udhëheqësve muxhahedinë të modeluar sipas Aleancës Veriore që u rezistoi talibanëve në vitet 1990.
Koalicioni, i njohur si Fronti i Rezistencës Kombëtare të Afganistanit ose Rezistenca e Dytë/Rezistenca Panjshir, u bë një nga disa forcat e pavarura ushtarake përpara tërheqjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
Grupi bazohet në Frontin Kombëtar, i njohur zakonisht si Aleanca Veriore, një grup opozitar i formuar në 1992 për të luftuar qeverinë komuniste dhe i cili u përpoq të negociojë dhe në fund luftoi talebanët nga 1994 deri në 2001, raporton abcnews.al
Djali i udhëheqësit më të famshëm muxhahidin ka vetëm dy synime: të eliminojë kryengritjen talebane dhe të rikthejë pushtetin te njerëzit. Ai e kaloi pjesën më të madhe jashtë, duke studiuar. Ai vazhdoi shkollën e mesme në Iran dhe më pas u diplomua në Akademinë Ushtarake Sandhurst në Angli.
Në vitin 2012, ai u diplomua në King’s College, Londër. Më pas u diplomua në Master në Politikë Ndërkombëtare nga Universiteti i Londrës në 2016. Ai ka shërbyer si Ambasador Afgan në Mbretërinë e Bashkuar, Përfaqësues Special i Ahmad Shah Massoud në Europë dhe përfaqësues i Partisë Jamiat-e Islamike në Londër.
Ai është themeluesi i një partie politike të quajtur Nahzat-e-Melli-ye Afghanistan (Partia e Lëvizjes Kombëtare të Afganistanit) dhe themeluesi i gazetës Mandegar Daily dhe revistës historike Yad-e-Yar (Kujtimi i miqve). Massoud botoi librin e tij të parë, në 2012.
Ai u emërua CEO i Fondacionit Massoud në mëntor 2016.
Duke ndjekur hapat e babait të tij
Në një opinion të botuar në Washington Post të mërkurën, Ahmad tha se ai ishte duke ndjekur hapat e babait të tij. Së bashku me Saleh, Ahmad është fshehur në provincën Panjshir e cila ende nuk ka rënë në duart e talebanëve.
Ai përmendi se Fronti Kombëtar i Rezistencës jo vetëm që ka shumë municion, por ka edhe një numër të konsiderueshëm ushtarësh që nuk janë dorëzuar. Ahmad tha se talebanët përbëjnë një kërcënim përtej kufijve të Afganistanit.
“Nën kontrollin e talebanëve, Afganistani pa dyshim do të bëhet burim i terrorizmit radikal islamik; komplotet kundër demokracive do të zhvillohen edhe një herë këtu.”
Ahmad tha se luftëtarët e tij janë gati për konfliktin e ardhshëm, por kanë nevojë për ndihmën amerikane. Përpara marrjes nën kontroll të talebanëve, Ahmad Massoud i tha Këshillit Atlantik se ishte i gatshëm të negocionte.
“Unë jam i gatshëm të fal gjakun e babait tim për hir të paqes në Afganistan dhe sigurisë dhe stabilitetit në Afganistan,” tha Massoud.
Ahmad gjithashtu ka deklaruar se aleanca e tij e re dëshiron të nxisë krijimin e një vendi me një sistem të moderuar islamik që mbështet drejtësinë sociale dhe të jetë në gjendje të zgjidhë problemet e vendit me unitet.
Pasi shumica e vendit iu dorëzua talebanëve, Ahmad dhe Saleh u takuan në Panjshir. Sidoqoftë, duke qenë se Panjshir është e vetmja provincë që nuk është në kontrollin e talebanëve deri më tani, mbetet për t’u parë nëse gatishmëria e mëparshme e Ahmedit për të “krijuar një qeveri gjithëpërfshirëse me talebanët” nëpërmjet negociatave politike vlen ende si një mundësi.
Ahmad kishte parashikuar se një tërheqje e shpejtë e trupave amerikane mund të çonte në një kolaps të forcave të sigurisë në Afganistan, për shkak të korrupsionit dhe udhëheqjes së dobët.
“Fatkeqësisht qeveria nuk është e aftë të vazhdojë luftën kundër talebanëve,” tha Massoud për The Straits Times.
/abcnews.al