Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë njoftuan të mërkurën planet për të ofruar një dozë përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 për të gjithë amerikanët për të rritur mbrojtjen e tyre nga virusi mes rritjes së rasteve me variantin e tij më ngjitës Delta dhe shenjave se efektiviteti i vaksinave po bie.
Plani, i njoftuar nga drejtorja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe autoritetet e tjera të larta, bënë thirrje për një dozë shtesë tetë muaj pasi njerëzit të kenë bërë dozën e dytë të vaksinës Pfizer ose Moderna. Dozat mund të fillojnë të merren më 20 shtator.
“Plani ynë është të mbrojmë amerikanët, të qëndrojmë një hap përpara këtij virusi”, tha Drejtorja e CDC-së, Dr. Rochelle Walensky.
Personat që janë imunizuar me një dozë të vaksinës Johnson & Johnson gjithashtu do të kenë nevojë për një dozë përforcuese, thanë zyrtarët shëndetësorë. Por ata thanë se janë duke pritur për më shumë të dhëna për këtë vaksinë.
Plani i përgjithshëm do t’i nënshtrohet një vlerësimi të Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve për sigurinë dhe efektivitetin e një doze të tretë dhe shqyrtimit të një paneli këshillues të CDC-së.
Zyrtarët thanë se është “shumë e qartë” që mbrojtja e vaksinave kundër infeksionit me Covid-19 dobësohet me kalimin e kohës, dhe ata vunë re se Izraeli ka filluar të shohë një rritje të infeksioneve mes njerëzve të vaksinuar. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i paraprijnë problemit para se përhapja e tanishme e Covid-19 të bëhet vdekjeprurëse, të mbingarkojë spitalet dhe të shkaktojë vdekje midis të vaksinuarve.
Dr. Mark Mulligan, i qendrës së shëndetit Langone në Universitetin e Nju Jorkut, e përshëndeti njoftimin duke e cilësuar atë një përgjigje “proaktive” ndaj shenjave se efektshmëria vaksinës po dobësohet ndërsa varianti shumë më ngjitës delta i koronavirusit po përhapet.
Shkencëtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë e kundërshtuan ashpër planin amerikan, duke vënë në dukje se vendet e varfra ende nuk po marrin sasi të mjaftueshme të vaksinave për dozat e para.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë vunë në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar 115 milionë doza vaksinash për 80 vende, më shumë se të gjitha vendet e tjera së bashku. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara kanë sasi të mjaftueshme vaksinash për të ofruar doza përfocuese për popullin amerikan.
Izraeli tashmë është duke ofruar doza përforcuese për banorët e tij mbi 50 vjeç për të kontrolluar përhapjen e variantit delta. Edhe rregullatorët evropianë të ilaçeve thanë se po bisedojnë me prodhuesit e vaksinave për çështjen e një doze të tretë përfocuese.
Javën e kaluar, zyrtarët shëndetësorë amerikanë rekomanduan një dozë përforcuese për njerëzit me sistem imunitar të dobësuar, si pacientët me kancer dhe ata që kanë bërë transplantim të organeve. Ofrimi i një doze përfocuese për të gjithë amerikanët do të ishte një zgjerim i madh fushatës tashmë më të madhe të vaskinimit në historinë e Shteteve të Bashkuara./VOA/