9 viktima nga Covid-19 në gusht, të gjithë të pa vaksinuar

schedule16:26 - 18 Gusht, 2021

schedule 16:26 - 18 Gusht, 2021

Nga Ema Shazivari

Nga  7 gushti, deri në datën 18 , COVID-19 u ka marrë jetën 9 pacientëve në spitalin Infektiv. Burime bëjnë me dije se viktimat ishin persona të pavaksinuar, të gjithë me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Viktima më e re në moshë ishte një 44 vjeçare nga Vlora, e cila vuante edhe nga Leucemia.

Në javën e dytë të gushtit në spitalin infektiv filluan të shtoheshin pacientët në gjendje të rëndë shëndetësore, me dy apo tre burime oksigjeni. Më pas nisën edhe pacientët në gjendje të intubuar.

“ABC” mëson se aktualisht në këtë spital janë dy persona të intubuar, ndërsa ka edhe prej atyre të shtruar në reanimacion të cilët rrezikojnë intubimin.

Urgjencat mjekësore si pasojë e COVID, u shtuan ndjeshëm në javën e dytë të gushtit. Fluksi më I lartë ishte fundjavën e kaluar, me rreth 12 shtrime të reja.

Sipas burimeve në spital ka edhe pacientë që janë vaksinuar me një dozë.

Gjendja e tyre shëndetësore është më e lehtë se e pacientëve të pavaksinuar.

Aktualisht në këtë spital janë të shtruar mbi 50 pacientë.

Në vetëm 18 ditë të këtij muaji janë infektuar nga COVID 3535 qytetarë. Numrin më të lartë e mban Tirana, pasuar nga Shkodra dhe Fieri.

Pavarësisht rritjes së lartë të infektimeve, Komiteti i Ekspertëve nuk ka propozuar asnjë masë për uljen e këtyre rasteve./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!