Në Haiti janë ndërprerë kërkimet për të mbijetuarit nga tërmeti, për shkak të stuhisë tropikale që ka prekur vendin. Stuhia ka sjellë reshje të dendura dhe erëra të forta duke u përqendruar në jug perëndim të vendit, që është dhe zona më e goditur nga tërmeti.
Bilanci i viktimave flet për 1941 të vdekur dhe 10 mijë të plagosur, por gjithsesi mbetet ende i përkohshëm pasi janë shumë personat e shpallur të zhdukur. Ndërprerja e kërkimeve ka zemëruar dhe dëshpëruar ata që po kërkojnë të afërmit e tyre që mund të kenë mbetur të bllokuar nën gërmadha.
Fëmijë jetimë, adoleshentë pa ushqime, të plagosur që presin para spitaleve të shkatërruara nga tërmeti, janë dëshmitë që vijnë nga ishulli, një nga më të varfrit në botë. Dhe pse kanë mbërritur ndihma nga vende të huaja dhe organizata jo qeveritare, mungon një koordinim qendror, ndërsa bandat e rrugëve kanë kontrollin e gjithçkaje./abcnews.al