Ish zv ministri i Integrimit dhe Shëndetësisë Albert Gajo është arrestuar nga policia në Leskovik, pasi akuzohet për zjarrvënie.
Ky i fundit në vendin e quajtur “Sarandapor”, në Leskovik, Kolonjë, me veprimet e tij ka shkaktuar rënien e zjarrit në një sipërfaqe me vreshtari, duke përfshirë më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi. Ai akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Pasi është vënë në pranga, Gajo ka pohuar se nuk ka dashur të shkaktojë dëme, por ka tentuar të djegë një pjesë të vogël të vreshtarisë, por vatra e zjarrit ka dalë jashtë kontrollit.
Albert Gajo,ka mbajtur postin e zv.ministrit të Integrimit në vitet 2005-2009 dhe zv.ministër i Shëndetësisë në vitet 2009-2013. Gazetarja Ledjona Xheladinaj mëson se Gajo aktualisht merret me vreshtari dhe prodhon raki.
Njoftimi i policisë:
Dogji me zjarr një sipërfaqe me vreshtari, zjarri përfshiu më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi të ndryshme, vihet në pranga autori i dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. G., 59 vjeç, banues në Tiranë, pasi në vendin e quajtur “Sarandapor”, në Leskovik, Kolonjë, me veprimet e tij ky shtetas ka shkaktuar rënien e zjarrit në një sipërfaqe me vreshtari, duke përfshirë më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.
g.v/abcnews.al