Sllovenia emëron në krye të ushtrisë një grua

schedule08:54 - 29 Nëntor, 2018

schedule 08:54 - 29 Nëntor, 2018

Sllovenia është bërë vendi i parë anëtar i NATO-s që ka emëruar një grua në krye të ushtrisë. 55 vjeçarja Ermenc është përzgjedhur bazuar në eksperiencën dhe kontributin e saj për krijimin e një ushtrie profesioniste.

Është një rekord i rëndësishëm për ushtrinë e vogël sllovene: që sot në drejtim të saj do të jetë një grua. Alenka Ermenc, 55 vjeç, e emëruar komandante e përgjithshme e forcave të armatosura është e vetmja që ka një post kaq të lartë në 29 vendet anëtare të NATO-s. Ajo u zgjodh në bazë të eksepriencës si komandante e një njësie të ushtrisë sllovene, për kontributin e saj në krijimin e një ushtrie profesionale dhe për formimin e saj civil dhe ushtarak.

Ashtu si ndodh shpesh, emërimi i një gruaje vjen në një moment krize dhe në fakt presidenti i Sllovenisë Borut Pahor, u shpreh se pret që Ermenc të përmirësojë situatën e forcave të armatosura kombëtare. Në shkurt, kreu i ushtrisë i atëhershëm Andrej Osterman u shkarkua nga ky post, pasi një batalion elitar prej 800 ushtarësh dështoi në katër prova nga pesë, në testimet mbi aftësitë luftarake të NATO-s. E diplomuar në shkenca sociale, kreu i ri i ushtrisë hyri në shërbimin ushtarak në vitin 1991, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në luftën dhjetë ditore të shpërthyer pas shpalljes së pavarësisë nga ish Jugosllavia, e cila u fitua nga Sllovenia, pavarësisht superioritetit të ushtrisë popullore jugosllave.

Në vitin 2008 ajo u diplomua në Kolegjin Mbretëror të studimeve për Mbrojtjen në Londër dhe në 2009-n mori masterin në studime ndërkombëtare. Që atëherë ajo ngjiti shkallët e karrierës ushtarake si dhe mori pjesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë me KFOR. Vetë ajo u shpreh për mediat sllovene se në rrugën e vështirë të karrierës ushtarake është mbështetur tek dashuria për atdheun./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!