Programi IPARD, kriteret që duhen plotësuar për ta përfituar

schedule20:07 - 27 Nëntor, 2018

schedule 20:07 - 27 Nëntor, 2018

Në datën 30 Nëntor fillon programi IPARD, ku fonde të vëna në dispozicion nga BE dhe qeveria shqiptare do t’u vihen në dispozicion fermerëve të vendit tonë me qëllim për të shkuar pranë formatit të BE-së. Drejtorja e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca tha në “Mbrëmje Ide” në ABC Neës kriteret që duhet të kenë aplikantët për të përfituar grantet.

“Janë një sërë kriteresh të përgjithshme dhe të përveçme të cilat janë të publikuara në udhëzuesin për aplikant. Është një libërth i cili duhet përvetësuar dhe duhet përmbushur në respekt të këtyre kritereve. AZHBR është kredituar për të administruar këto fonde në bazë të këtyre kritereve dhe këto janë kritere të cilat na lejuan të hapim dritaren e IPARD dhe t’i vëmë këto fonde në dispozicion të fermerëve shqiptarë. Shpesh herë mund të duken edhe burokratike, por pa kaluar në këto kanale, pa dëshmuar vërtetësinë e pronës, pa dëshmuar që kemi një kontratë qeraje minimalisht 10-vjeçareje me pronarët e tokave, dëshmitë e penalitetit. Pa dëshmuar një projekt teknik të investimeve që shkojnë deri në 50 mijë euro apo një biznesplan të mirëfilltë që do tregojë qëndrueshmëri sepse qëllimi është që të kemi biznese afatgjatë dhe nuk do bëjmë eksperimente me paratë e taksapaguesve europianë. Deri në 50 mijë euro kemi projekt teknik. Mbi 50 mijë euro kemi biznesplan”, tha Krifca.

Krifca tregoi në studio se IPARD 2 është një program prej 94 milionë eurosh ku 75 milionë janë financuar nga BE dhe pjesa tjetër nga qeveria shqiptare./abcnews.al