Nga Xhensila Kodra
Qindra hektarë sipërfaqe, terrene pyjore e kullota në zona të ndryshme të vendit kanë qenë nën pushtetin e flakëve në dy javët e fundit.
Autoritetet kanë deklaruar vazhdimisht se pjesa më e madhe e zjarreve kanë qenë të qëllimshme, ndërsa në pranga janë vënë autorë te dyshuar.
Vetëm në rreth 3 javët e fundit u arrestuan për këto zjarrvënie 22 persona.
Sipas tyre, kushdo që ka shkaktuar një dem të tillë do të përballet me ligjin e do të marrë dënimin e merituar.
Referuar Kodit Penal, parashikohet që për veprën penale shkatërrimi me dashje përmes zjarrit, dënimi shkon nga 5-8 vite burg.
Kur zjarrvënia është e qëllimshme dhe ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin apo jetën e njerëzve, dënimi shkon nga 10-20 vite.
Ndërsa kur zjarrvënia është shkaktuar nga pakujdesia dënimi varion nga 2-5 vite heqje lirie.
Por pavarësish këtyre, përvoja ka treguar se vitin e kaluar nuk është dënuar asnjë zjarrvënës, edhe pse numri i të arrestuarve ka qenë i lartë. Në 2020-ës, në Prokurori janë regjistruar gjithsej 24 procedime, nga të cilat 20 për zjarrvënie të qëllimshme dhe 4 të tjera nga pakujdesia.
Por, në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme citohet se në Gjykatë nuk ka përfunduar asnjë person.
Burime pranë organit të akuzës thanë për ABC se pjesa më e madhe e dosjeve ndaj piromanëve të arrestuar për zjarrvënie mbyllet për mungesë provash. Kjo pasi, nuk sigurohen prova të mjaftueshme për të shpallur fajtor një person. “Mungesa e pamjeve filmike apo fotove qe te provojnë kryerjen e veprës penale te zjarrvënies nga këta persona, nuk mund të vërtetojë fajësinë e tyre” -tha i njëjti burim për televizionin “ABC”.
Edhe këtë vit, nëse policia dhe prokuroria nuk do të sigurojnë prova të mjaftueshme për 22 të arrestuarit gjatë këtyre 3 javëve, apo për të arrestuar te tjerë në vazhdim, askush prej tyre nuk do të marrë dënimin ligjor, siç autoritetet premtojnë gjithmonë.
/abcnews.al/