Mediat në Greqi kanë publikuar pamje nga operacioni i shpëtimit të personave që ndodheshin në bordin e jahtit që u fundos. Në pamjet e publikuara mund të shihen një numër personash që ndodhen në det me jelekun e shpëtimit veshur. Në bord ndodheshin 17 persona mes tyre edhe tre të mitur, e të gjithë përfunduan në ujë pas fundosjes.
Kujtojmë se se jahti, që mbante ngritur një flamur të Britanisë së Madhe, u fundos 16 milje detare në veriperëndim të ishullit grek të Milos , ndërsa siç mund të shihet në video, erërat që frynin në vend ishin mjaft të forta.
Operacioni i shpëtimit për personat në bord filloi menjëherë me anijen e pasagjerëve Sea Jet 2 dhe përfundoi pak pas orës 12.00 të mesditës. Të gjithë pushuesit raportohet se janë të sigurt. Sipas Ministrisë së Transportit shumica prej tyre janë shtetas grekë.
Në zonën e incidentit ndodhet edhe një varkë, dy anije peshkimi dhe një varkë druri e cila bën lundrime ditore duke filluar nga Milos, megjithatë sot nuk e kishte bërë itinerarin, për shkak të erërave të forta.
Sipas deklaratave të bëra nga zëdhënësi i Ministrisë së Anijeve, Nikos Kokkalas, vetë udhëtarët dërguan një sinjal alarmi pasi mjeti lundrues nisi të shfaqte probleme. s.b/abcnews.al/