Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri nuk kanë mundur që të arratisen nga burgu “313” në Tiranë pasi u pikasën nga roja e derës së jashtme. Në lidhje me ngjarjen grupi hetimor nga SHKBB në bashkëpunim me Drejtorinë e përgjithshme të burgjeve po kryejnë hetimin e thelluar për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë ABC ka siguruar një foto të litarit të improvizuar që ata krijuan për t’u arratisur nga godina.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se ka dyshime të forta se dy të burgosurit mund të jenë ndihmuar nga gardianë të burgut. Për këtë arsye, në procesin e hetimit do të kalojnë të gjitha hallkat e tjera, si administrata, punonjësit e kamerave të sigurisë, gardianët etj.
Kujtojmë se Çekaj, i cili bashkë me Pjetrin tentuan ditën e djeshme që të arratiseshin nga burgu “313” në Tiranë, do të transferohej për dy ditë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.
Pas tentativës së dështuar për t’u arratisur, dy të burgosurit janë tashmë në izolim.
TENTATIVA E ARRATISJES
Gjatë momentit kur Çekaj dhe Pjetri do të përpiqeshin të largoheshin, një i paraburgosur ka tentuar të presë damarët e dorës, duke tërhequr kështu vëmendjen e forcave të sigurisë të cilat po merrnin masa për ta shoqëruar në spital për të marrë shërbimin e duhur shëndetësor.
Duke shfrytëzuar këtë situatë, Çekaj dhe Pjetri kanë tentuar të arratisen. Gjithçka ka ndodhur gjatë orarit të ajrimit, ndërsa janë përpjekur të largohen nga pjesa e pasme e burgut. Mirëpo, plani i tyre ka rezultuar pa sukses, pasi janë pikasur nga roja e derës së jashtme.
Gjatë tentativës për të dalë ata kanë goditur dhe një prej policëve të burgut 313, i cili është dërguar për marrjen e ndihmës shëndetësore. s.b/abcnews.al/