“Vetëvendosje” për taksën 100%: Shqipëria duhet të ndjekë Kosovën

schedule17:51 - 25 Nëntor, 2018

schedule 17:51 - 25 Nëntor, 2018

Lëvizja “Vetëvendosje” kërkon që Shqipëria të ndjekë Kosovën lidhur me vendosjen e taksës prej 100% ndaj mallrave të Serbisë. Kryetari Albin Kurti kritikoi dy vendet për shkak të mos zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara.

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për shtyp, ku kryetari Albin Kurti dhe nënkryetari Besnik Bislimi folën për bashkëpunimin dhe marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e ekonomisë. Gjithashtu komentuan edhe taksën e vendosur ndaj Serbisë nga qeveria e Kosovës duke thënë se ishte një lëvizje e dëshpëruar e Prishtinës pasi Beogradi pengoi anëtarësimin në Interpol. Në fjalën e tij, Kurti pati dhe një kërkesë për qeverinë e Tiranës.

Albin Kurti: “Republika e Shqipërisë në politikën e jashtme karshi Serbisë duhet gjithsesi si masë e përmasë ta ketë Republikën e Kosovën. Ne jemi një komb në dy shtete andaj nuk mund të kemi dy politika karshi Serbisë”.

Ai më tej nënvizoi se Kosova dhe Shqipëria janë bërë peng i Serbisë.

Albin Kurti: “Kosova e Shqipëria nuk po bashkohen, por janë peng i Serbisë e cila të dyja po na mban të bashkuar dhe të bllokuar inerkoneksionin 400kë tashmë të ndërtuar, jemi bashkë sepse jemi peng të Serbisë”.

Gjithashtu kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje kritikoi qeverinë e Kosovës dhe atë shqiptare duke thënë se dy vendet kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, memorandume e dakordime, megjithatë mungon zbatimi i tyre. Sipas tij do të duhej që Kosova dhe Shqipëria të kishin komisione parlamentare te përbashkëta, treg, dogana, ambasadat, shkollat ushtarake e policore, strategji zhvillimore e program arsimor të përbashkët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!