Prokurorët gjermanë kanë nisur hetimet ndaj zyrtarëve për neglizhencë. Sipas prokurorëve, ata nuk kanë paralajmëruar banorët për rrezikun e përmbytjeve që shkaktuan 141 viktima dhe mbetën të lënduar qindra të tjerë.
Prokurorët kanë nisur hetimet për administratorin rajonal në qarkun e Ahrweiler dhe për një anëtar të ekipit të menaxhimit të krizës, i cili ishte në krye të operacionit. Të paktën 141 persona humbën jetën dhe më shumë se 700 mbetën të lënduar në luginën Ahr natën e 14-15 korrikut.
Dhjetëra persona vdiqën në zona të tjera të Gjermanisë perëndimore dhe Belgjikës. Banorët e qyteteve të prekura nga përmbytjet raportuan se nuk ishin paralajmëruar paraprakisht për përmbytjen e rëndë që ndodhi gjatë natës, me disa që pohuan se informacioni nga autoritetet ishte i paqartë.
Ministri i Ekonomisë i North Rhine-Westphalia, Andreas Pinkwart, tha se dëmi vetëm në shtetin e tij arrin në 15 miliardë deri në 20 miliardë euro. Zyrtarët federalë dhe shtetërorë do të takohen në Berlin të martën për të diskutuar rreth ndihmës financiare për rajonet e prekura nga përmbytjet./abcnews.al