Mijëra qytetarë janë larguar nga shtëpitë e tyre në periferi të Athinës ndërsa qindra të tjerë janë evakuuar me anije nga ishulli pranë tij, Evia, teksa Greqia po përballet me ditën e katërt të zjarreve të nxitura nga erërat e forta dhe temperaturat e larta.
Ashtu si pjesa më e madhe e Europës edhe Greqia është përballur me motin ekstrem këtë verë, e cila konsiderohet më e nxehta në 30 vitet e fundit duke bërë që flakët të përhapen njëkohësisht në disa pjesë të ndryshme të vendit.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Turqi, ku autoritetet kanë bërë evakuimin e mijëra qytetarëve, përfshirë edhe turistë të kërcënuar nga zjarret. Në Itali erërat e nxehta shkaktuan flakë të mëdha në ishullin e Siçilisë këtë javë.
Sot qielli i Athinës është mbuluar nga tymi i dendur si pasojë e zjarreve në periferi të saj, të cilat shpërthyen përsëri të enjten. m.v/abcnews.al