Peleshi: Situata në Gjorm më e qetë, jemi në luftë në frontin e kufirit me Parkun e Llogarasë

schedule16:29 - 5 Gusht, 2021

schedule 16:29 - 5 Gusht, 2021

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ka bërë një tjetër komunikim për situatën e zjarreve në zonën e lumit të Vlorës.

Lexo edhe: Zjarri në Gjorm, Rama: Shtohen forcat e ndërhyrjes nga toka, prioritet evakuimi i banorëve

Peleshi theksoi se situata është pak më e qetë dhe se vatrat janë pak më agresive, por ende zjarret nuk janë vënë në kontroll. Po ashtu Peleshi bëri me dije se vijon ndërhyrja në Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Ministri i Mbrojtjes theksoi se ka pasur prekje banesash, por nuk raportohet të ketë pasur banorë, pasi shtëpitë janë të vjetra. Forcat e policisë po ashtu ndodhen në fshatin Gumenicë për të evakuuar të gjitha familjet që ndodhen aty.

“Jeta e njerëzve është kryesorja dhe nuk kemi raportime për lëndime në njerëz. Kemi forca mjaftueshëm për ta mbajtur zjarrin në kontroll. Janë dy zjarrfikëse të specializuara, po ashku edhe nga bashkia e Selenicës dhe Vlorës ka ardhur në ndihmë zjarrfikës. Sot nuk mund të flasim për vendosje përfundimtare të situatës në kontroll edhe për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike për shkak të erërave.

Një mendje e kam në Llogara, në Karaburun  ku erërat janë shumë më të forta. Jemi në luftë në frontin e kufirit me Parkun e Llogarasë, gjatë gjithë natës aty kemi pasur 30 forca, sot është nisur një grup shumë i madh forcash në këmbë nga ana e Llogarasë drejt fronit.

Po presim që të krijohen edhe pak kushtet favorshme të motit, për të dërguar edhe helikopterë me ujë”, ka thënë Peleshi.

/abcnews.al/