Zjarri i rënë në Varybobi, pranë Athinës ka shkaktuar dëme të mëdha materiale duke djegur deri më tani 80 shtëpi.
Ky zjarr përbën vatrën me të madhe aktualisht në Greqi duke u kthyer në problemin kryesor të autoriteteve, të cilat sëfundmi kanë bërë edhe një zbulim që lidhet me mënyrën se si po digjen hapësira të mëdha me pyje në zonë.
Sipas Observatorit të Athinës, zjarri ka krijuar mikroklimën e vet në vatër duke bërë që të mos ketë nevojë për erëra të forta për tu zgjeruar, raporton abcnews.al.
Sipas ekspertëve, kjo është një ngjarje e rrallë ku një vatër zjarri “vetëmjaftohet” me rrymat ajrore që krijohen brenda saj për tu fuqizuar.
Nga matjet e bëra rezulton që ndërkohë që në zonë era kishte një shpejtësi prej rreth 6 km/h ajo rritej ndjeshëm pranë vatrës së zjarrit duke shkuar deri në 20 km/h, gjë e cila sipas ekspertëve po bën që vatra të zgjerohet edhe pse nuk ka erëra të forta në zonë. /abcnews.al