Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmon nisjen e hetimeve për prishjen e Teatrit Kombëtar. SPAK është duke kryer hetime për shpërdorim detyre gjatë procesit të miratimit të vendimit dhe ekzekutimit të tij duke e finalizuar me prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar mëngjesin e 17 majit 2020.
Konfirmimi për nisjen e hetimeve ka ardhur pas një përgjigjeje që SPAK i ka kthyer Partisë Demokratike, ku autoriteti i lartë thekson se po hetohet sipas kallëzimit të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të bërë më 31 dhjetor 2019 dhe 23 janar 2020.
Ndër të tjera në shkresën e siguruar nga abcnews.al bëhet me dije se dhe kallëzimi i bërë nga Partia Demokratike në lidhje me këtë çështje i është bashkuar këtij procedimi penal.
“Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake dhe organi i akuzës është duke kryer veprime hetimore të plota dhe të gjithë anshme. Për shkak të detyrimit ligjor të ruajtjes së sekretit hetimor, në këtë fazë të hetimeve paraprake, nuk mund t’ju informoj në lidhje me veprimet hetimore konkrete të kryera nga ana e prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në deklaratën e SPAK.
Ndërkaq në fillim të muajit korrik Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ndërtimin e teatrit të ri deri në zbardhjen e plotë të vendimit.
Godina e Teatrit Kombëtar u shemb të dielën në 17 maj të 2020 në orët e para të mëngjesit. Aksioni i IMT u ndihmua nga forca të shumta policie, të cilat përdorën dhe dhunën për të nxjerr protestuesit nga godina. Pas shembjes së godinës së teatrit nisën protesta dhe rezistencë nga Aleancapër Mbrojtjen e teatrit të cilat janë mbështetur dhe nga opozita./abcnews.al