Giroud: Unë e Ibra, ç’dyshe! Zoti deshi të vija me Milanin, numri 9 nuk më tremb

schedule14:58 - 2 Gusht, 2021

schedule 14:58 - 2 Gusht, 2021

Olivier Giroud ka debutuar me Milanin me gol në miqësore kundër Nice, ndërkohë që ka folur së fundmi para mediave për transferimin e te kuqezinjtë. Vjet ishte Interi që këmbënguli për të dhe sigurisht që kampionit të botës ia kujtuan diçka të tillë.

Sulmuesi u përgjigj kështu: “Jam i krishterë dhe Zoti donte që unë të vishja fanellën e Milanit dhe jo të Interit sezonin e shkuar”. Giroud do të mbajë numrin nëntë, që u ka rënduar shumë sulmuesve që prej largimit të Pippo Inzaghit.

“Unë nuk jam paragjykues, një numër fanellë nuk mund të ndikojë në mënyrën time të lojës në fushë. Lojtarët si Inzaghi, Van Basten dhe Papin mbanin fanellën me numrin nëntë. Kjo nuk më vë në presion, Do bëj çmos të kënaq tifozët”.

Sigurisht ai u ngacmua edhe për Ibrahimovic dhe për faktin nëse mund të luajnë së bashku njëkohësisht. Giroud tha: “Pyetje e mirë. Për mua është një nder të luaj përkrah një lojtari të madh si Ibrahimovic. Mendoj se është një pyetje që i duhet bërë trajnerit.

Jam te Milani për të sjellë përvojën time dhe ne mund të plotësojmë njëri-tjetrin. Është e lehtë të luash përkrah një lojtari me personalitetin e tij. Jam i sigurt që do të ishim një dyshe e mrekullueshme. Kam ardhur këtu me përulësi të madhe.

Unë nuk jam trajneri dhe nuk mund të flas për detaje taktike. Të luash me lojtarë të mëdhenj nuk është e vështirë. Unë mund t’i përshtat cilësitë e mia me ta tijat. Nuk është e pamundur që të luajmë të dy njëkohësisht. Mendoj se kohët e fundit Ibra është më shumë një numër 10, një lojtar që krijon lojë.

Gjëja më e rëndësishme është që Milani ka profesionistë të mëdhenj që e vënë veten në shërbim të skuadrës. Jam shumë i lumtur si ekipi më ka pritur dhe po punojmë fort. Mezi pres që edhe Ibrahimovic të jetë me ne”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!