Hungaria sqaron Hahn

schedule15:15 - 22 Nëntor, 2018

schedule 15:15 - 22 Nëntor, 2018

Hungaria i është përgjigjur kërkesës së eurokomisionerit Hahn lidhur me sqarimet e kërkuara për pranimin e kërkesës për azil të Gruevskit. Qeveria e Budapestit i kërkon zyrtarit të BE-së që të lexojë raportin e tij për Maqedoninë. Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit kërkon që proceset gjyqësore kundër Gruevskit të vijojnë në Shkup.

Qeveria e Hungarisë i është përgjigjur eurokomisionerit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili kërkoi shpjegim të arsyeshëm dhe të zëshëm nga kryeministri Viktor Orban, përse i është aprovuar azili politik Nikolla Gruevskit.

“Shpjegim të arsyeshëm? Filloni me leximin e raportit tuaj për Maqedoninë nga Marsi 2018 për rreziqet nga përzierja e politikës në gjyqësor dhe raporti i Tetorit 2017 për burgjet”, shkruan zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovaç, në një mesazh në Twitter.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit ndjek nga afër rastin me ish-kryeministrin maqedonas, posaçërisht pasi atij i është miratuar kërkesa për azil në Hungari. Kështu shkruan gazeta hungareze “Nepszava”. Departamenti i Shtetit, me kërkesë të gazetës hungareze, e përsërit qëndrim se Gruevskit i është caktuar dënim me dy vite burg në një proces transparent gjyqësor.

Nga DASH theksojnë se kundër Gruevskit janë duke u zhvilluar edhe katër procese gjyqësore dhe se është e nevojshme që këto procese të vazhdojnë në Maqedoni. Ndërkaq, Nikolla Gruevski është paraqitur në ballinën e faqes së revistës ekonomike në Hungari”HVG”. Reklama për edicionin e ri të kësaj reviste me Gruevskin në ballinë u paraqit edhe nëpër vendet e reklamimit të Budapestit./abcnews.al